Humbi jetën në lule të rinisë, media italiane jep detaje për 19 vjeçaren shqiptare

Natën e 5 marsit në Motta di Livenza, Eralda ndodhej në makinë me të fejuarin dhe tre miq të saj… për arsye ende të paqarta për hetuesit, automjeti doli nga rruga dhe u përplas me një pemë.

Bilanci ishte tragjik. 19 vjeçarja shqiptare së bashku me miken e saj 17 vjeçe, humbën jetën. Dy personat e tjerë, të dy djem, u transportuan në gjendje të rëndë shëndetësore në spital.

Së fundmi media italiane ka sjellë disa detaje në lidhje me dy vajzat që humbën jetën.

“Sky tg24” raportoi se të dyja vajzat studionin në shkollë. Eralda po diplomohej si estetiste, ndërsa Barbara frekuentonte liceun artistik.

Eralda jetonte në Ponte di Piave dhe ishte në vitin e fundit të shkollës në Motta di Livenza. Ëndërronte të hapte një qendër estetike dhe që një ditë të martohej me djalin që ndodhej në makinë me të, me të cilin sapo ishte fejuar. (Ky i fundit aktualisht është në gjendje të rëndë në spital.)

“Isha shumë e lidhur me Eraldën. Ajo ishte një vajzë e fortë por në të njëjtën kohë edhe shumë e sjellshme. Në klasë ajo na mbante të bashkuar. Nëse kishte një zënkë a konflikt, ajo ishte e para që kërkonte të gjente zgjidhje.”-tregoi për “Corriere-n” një shoqe e Eraldës

“Jam shumë e keqardhur. Eralda kishte ardhur tek ne përmes shkollës, për të bërë praktikën. Ajo ishte një vajzë e mirë që kishte dëshirë të mësonte”-tregoi po për “Corriere” Olimpia Palmieri, drejtuesja e qendrës estetike ku bënte praktikë 19 vjeçarja shqiptare.