Deri në vitin 2035 më shumë se 4 miliardë njerëz parashikohet të jenë obezë ose mbipeshë

Një raport i Federatës Botërore për Obezitetin parashikon se 51% e popullsisë globale, do të jetë mbipeshë ose obeze brenda 12 viteve të ardhshme (2035).

Norma e obezitetit po rritet veçanërisht tek fëmijët por edhe në vendet me të ardhura të ulëta, zbuloi raporti. Louise Baur, presidentja e federatës, shpjegoi se të dhënat janë një “paralajmërim i qartë” për nevojën e hartimit të politikave për frenimin apo parandalimin e kësaj situate.

Raporti zbuloi se obeziteti tek fëmijët mund të dyfishohet nga nivelet e vitit 2020, në 208 milionë djem dhe 175 milionë vajza, deri në vitin 2035.

Raporti ka përdorur indeksin e masës trupore (BMI) për të kryer vlerësimet dhe parashikimet e saj. Në përputhje me udhëzimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë, një rezultat BMI mbi 25 vlerësohet si mbipeshë dhe mbi 30, obez. Në vitin 2020, 2.6 miliardë njerëz ishin në këto kategori, ose 38% e popullsisë së botës.