Tragjedia në Greqi, të paktën 36 viktima nga përplasja e dy trenave në Larisa

Një tren me pasagjerë dhe një tren që transportonte malllra, janë përplasur kokë më kokë gjatë orëve të mbrëmjes së të martës, duke sjellë të paktën 36 viktima e dhjetëra të plagosur.

Përplasja ndodhi fill pasi treni i pasagjerëve doli nga një tunel. Në të udhëtonin rreth 350 persona, 10 prej të cilëve ishin ekuipazh.

Siç raportoi Reuters, vagonat e parë të trenit me pasagjerë u shkatërruan thuajse plotësisht nga përplasja me trenin e mallrave, ndërsa pas impaktit u shkaktuan dhe vatra zjarri.

“Kishte shumë panik, zjarri nisi menjëherë sapo trenat u përplasën, flakët mund t’i shihje ngado.”-tha Stergios Minenis, një pasagjer 28 vjeçar i cili arriti të shpëtojë nga treni duke u hedhur jashtë mjetit.

Drejtuesi i emergjencave në spitalin e Larisas Apostolos Komnos, shpjegoi se shumica e personave që kanë humbur jetën janë në moshë të re, në të 20-tat.

Ende mbetet e paqartë se përse trenat po ecnin në të njëjtat shina. Policia ka ndaluar ndërkohë personin përgjegjës për menaxhimin e shinave e hekurudhës në Larisa.

Zëdhënësi i brigadës së zjarrfikësve atje Vasilis Varthakogiannis shpjegoi për mediat greke se shpëtimi i pasagjerëve të lënduar ka qenë mjaft i vështirë për shkak të dëmit të jashtëzakonshëm që është shkaktuar nga përplasja e trenave.

“Po jetojmë në një tragjedi, po nxjerrim njerëz të gjallë, njerëz të lënduar… mes tyre ka shumë që kanë ndërruar jetë”-tregoi Varthakogiannis.