Duke mësuar në anë të rrugës, me një karton si strehë e vetme… historia inspiruese e një vajze

Fotot e mëposhtme tregojnë një vajzë të mitur e cila studionte në anë të rrugës, pak metra larg vendit ku i ati punonte për të nxjerrë bukën e gojës si lavazhier.

Maria Rosa dhe i ati Jose Gonzalo nuk kishin shumë kohë që kishin ardhur në qytet, fill pasi nëna e të miturës kishte braktisur familjen dhe ishte larguar. Shpesh herë në pamundësi për të dërguar të bijën në shkollë, babai i kishte gjetur të bijës një bankë të vogël dhe e kishte mbuluar me kartonë, që Maria Rosa të mos lagej sa herë binte shi.

Vogëlushja mësonte dhe kishte për ëndërr që një ditë të mund të bëhej mjeke ose avokate. Një kalimtar e pa vajzën një ditë duke studiuar në anë të rrugës dhe e postoi një video në rrjetin social. Nuk u desh shumë kohë që video të bëhej virale dhe vëmendja e mediave në Peru të shkonte tek rasti i kësaj vajze dhe të atit.

Babai i vogëlushes tha për median se ai fitonte afro 7 dollarë në ditë dhe paratë mezi dilnin për të paguar një shtëpi me qira dhe ushqimet.

Një fondacion bamirësie iu afrua babait e të bijës, duke i bërë një dhuratë të madhe. Një bursë shkollore për Marian si dhe një punë të re si roje për babain e saj, pikërisht në shkollën ku do të shkonte e mitura.