Çudirat e motit… pas 33 vitesh Kalifornia mbulohet nga stuhitë e dëborës

Një pjesë e konsiderueshme e shtetit të Kalifornisë ndodhet aktualisht nën furinë e një serie stuhish dëbore, ngjarje të cilat kishin afro 33 vite pa ndodhur (që në vitin 1989). Situata e motit ndryshoi të enjten, ndërsa të premtem pati një intensifikim të reshjeve të shiut, stuhive të erës dhe reshjeve të dëborës.

Në malet në veri e lindje të Los Angeles ra një sasi dëbore prej afro 2.4 metër, ndërsa era arriti një shpejtësi prej 120 km/h.

“Dua të jem plotësisht i sinqertë me ju njerëz, kurrë nuk kisha parë në këtë vend një lajmërim për rrezikun e një stuhie dëbore”-tha një prej meteorologëve në Kaliforni, teksa shpjegonte motin në ditët në vijim.

Siç raporton “Reuters” aktualisht janë të paktën 85,000 banesa të cilat kanë mbetur pa drita në zonën e Los Angeles. Një ndër nyjet kryesore të veri-lindjes së Amerikës (Interstate 5) mbeti e mbyllur përgjatë të shtunës për shkak të reshjeve të dendura të dëborës apo përmbytjeve, si pasojë e reshjeve të shumta.