Aksidentohet në Kroaci autobusi me shqiptarë, njëri ndërron jetë… si është gjendja e të lënduarve

Një autobus me targa shqiptare është aksidentuar në një prej autostradave në Kroaci, ku për pasojë ka ndërruar jetë një person dhe 9 të tjerë janë lënduar. Siç raportoi media kroate, aksidenti ndodhi pak para mesnatës, në orën 11:43 në kilometrin e 112-të të autostradës nga Spliti drejt Zagrebit.

Sipas dinamikës së zbuluar deri më tani, shoferi 58 vjeçar (edhe ai shqiptar) ka devijuar djathtas, është përplasur me barrierën anësore ndërsa autobusi më tutje është kthyer në brinjë (majtas). Një pasagjer ndërroi jetë dhe siç theksoi media kroate, ai ishte një 41 vjeçar.

Shoferi dhe të paktën dy pasagjerë të tjerë morën lëndime serioze nga aksidenti. Policia raportoi se në total ishin 10 persona në autobus, ndërsa arsyeja se përse shoferi devijoi mbetet ende e paqartë. Të lënduarit u transportuan në spitalet e Karlovac (5 pesona) dhe Ogulin (4 persona).

Media kroate ka intervistuar mjekët që vijojnë të kujdesen për të lënduarit. Sipas “Jutarnji” një grua në moshë ndodhet në gjendje kritike, ndërsa mjekët vijojnë orvatjet e tyre për të shpëtuar pasagjeren nga rreziku.

“Pritëm 4 pacientë, tre prej tyre në gjendje më serioze, njëri me lëndime të vogla. Nga tre të lënduait, një grua në moshë është në gjendje kritike. Do të shohim sesi do të shkojë situata në orët në vijim. Një tjetër person është në repartin e kujdesit intensiv, ndësa dy të tjerët janë duke u vëzhguar-tha Dr. Davor Vukelja, drejtuesi i spitalit në Ogulin.

Ndërkohë drejtuesja e spitalit në Karlovac, Dr. Ivana Kovačić, u shpreh po për “Jutarnji”se 5 personat që u shtruan nuk kanë lëndime që i rrezikojnë jetën. Doktoresha shpjegoi se të pestë personat janë burra.