Shumë prej foshnjeve të shpëtuara nga tërmeti kanë mbetur pa emra

Po sjellim për lexuesit raportimin e një gazetari të BBC-së (Tom Bateman), i cili ka vizituar spitalin e Adana-s, atje ku shumë prej foshnjeve që janë nxjerrë nga gërmadhat… kanë mbetur pa emra pas humbjes së prindërve e të afërmve.

Gazetari bisedon me disa prej doktorëve, të cilët i tregojnë gjendjen aktuale atje.

“Shumë prej të lënduarve që kanë ardhur në spital, janë tepër të vegjël që të dinë sesa kanë humbur prej tërmetit. Pashë doktorë në repartin e kujdesit intensiv që po i jepnin për të pirë me një shishe (formulë) një vajze 6 muajshe, prindërit e të cilës nuk po gjenden”-raporton për BBC-në gazetari Bateman.

Shumë prej fëmijëve që janë nxjerrë nga rrënojat janë të paidentifikueshëm pasi prindërit mund t’i kenë ndërruar jetë nën rrënoja ose në rastin më të mirë, ende nuk e dinë se i kanë fëmijët në spital. Për vajzën 6 muajshe po kujdeset Dr Nursah Keskin, ndërsa në shtratin ku qëndron vajza ka një tabelë ku shkruhet “Emri: I panjohur”.

Vajza 6 muajshe kishte një sërë frakturash dhe një sy të zi. Gazetari tregon se kur vogëlushja e pa, i buzëqeshi.

“Ne e dimë zonën ku është gjetur vajza, por nuk kemi një adresë të saktë. Puna po vijon ende”-tha D.r Keskin.

Gazetari i BBC-së raporton se si kjo vajzë ka qindra të tjerë, të cilët janë shpëtuar por ende nuk janë identifikuar nga familjarë apo të afërm. Sipas të dhënave që pa gazetari nga autoritetet turke, rezulton se nëpër spitale ka më shumë se 260 fëmijë që janë nxjerrë nga rrënojat por ende nuk janë identifikuar se kush janë.

“E ndjekim Dr. Keskin në disa korridore të spitalit, të mbushur me njerëz. Ata që i mbijetuan tërmetit qëndrojnë ulur kudo, nëpër barela apo të mbuluar me mbulesa që janë dhënë në zonat e emergjencës. Shkuam drejt repartit të kirurgjisë, i mbushur plot me fëmijë. Pamë një vajzë aty, ndërsa një doktoreshë na tha se ajo është 5 apo 6 vjeçe. Vajzën e ka zënë gjumi, ndërsa në krah ka një serum. E pyeta doktoreshën nëse ka mundur të komunikojë me vajzën”-raporton gazetari i BBC-së.

Doktoresha e quajtur Ilknur Banlicesur, kirurge pediatre, i tregon gazetarit se me vajzën e mitur nuk ka komunikuar ende.

“Jo, kemi komunikuar vetëm me gjeste apo me sy. Për shkak të shokut, shumë prej fëmijëve nuk flasin. Ata i dinë emrat, por derisa të stabilizohen pas disa ditësh, do të mund të flasim”-tha kirurgia.

Autoritetet shëndetësore kanë tentuar të identifikojnë fëmijët përmes adresave, por deri më tani një orvatje e tillë është mjaft e vështirë. Në të paktën 100 raste, kanë ndihmuar në identifikimin e fëmijëve njerëzit nëpër rrjetet sociale, duke postuar foto, adresa apo të dhëna që kanë mjaftuar për të ndihmuar autoritetet në identifikimin e fëmijëve që kanë mbërritur në spitale.

Në përfundim të raportimit të tij, gazetari i BBC-së pyet doktoreshën kirurge sesi ndihet, nëse është ajo vetë mirë.

“Mir jam… mundohem të jem mirë, sepse këta fëmijë kanë nevojë për ne. Nga një anë them, faleminderit o Zot që kam fëmijët e mi shëndoshë e mirë… nuk mund të mendoj dhimbje më të madhe për një nënë, sesa të humbë fëmijën”-përfundoi dr. Banlicesur.

Më poshtë fotot e BBC-së postuar me kronikën. Foto e parë i përket vogëlushes 6 muajshe, e dyta vajzës 5-6 vjeçe dhe e fundit, foto e doktoreshës kirurge pediatre.