Me kokën ulur… i moshuari që i mori jetën të birit del para drejtësisë

Kur doli para trupës gjykuese, 77 vjeçari Shefki Bylykbashi vendosi duart në fytyrë dhe uli kokën në tavolinë… derisa oficerët e policisë e detyruan të qëndrojë drejt para gjykatës.

Kjo e fundit vendosi ta lërë në burg të moshuarin, i cili përballet me akuzën e vrasjes së të birit 50 vjeçar. 77 vjeçari pranoi krimin edhe pse ditën e ngjarjes, u mundua të fshehë atë që kishte ndodhur.

“Më dhunonte dhe ditën e ngjarjes donte të më hidhte në pus. Nuk durova dhe reagova,” ka thënë i moshuari.

50 vjeçari Hamdi Bylykbashi u qëllua nga i ati disa herë me një çekiç. Sipas 77 vjeçarit, i biri vinte thuajse çdo ditë në gjendje të dehur në shtëpi dhe ditën e ngjarjes ka tentuar ta lëndojë.
Ngjarjen e zbardhi ekpertiza mjeko-ligjore, pasi familja fillimisht deklaroi se humbja e jetës së 50 vjeçarit kishte qenë aksidentale. Hamdi Bylykbashi kishte jetuar për disa kohë si emigrant në Francë, ndërsa me rikthimin e tij në vendlindje, i ishte kthyer alkoolit. Mbrojtja e të moshuarit ka kërkuar që 77 vjeçari të gjykohet në kushtet e vetëmbrojtjes.