Tiranë, 30 vjeçarja humb jetën në maternitet pak ditë pasi sjell në jetë të birin

Një nënë 30 vjeçare ka humbur jetën disa ditë pas lindjes së djalit të saj në maternitetin e ri në Tiranë. Gruaja ka lindur fëmijën e saj të shëndetshëm dhe pas 48 orësh qëndrimi në spital, është larguar drejt shtëpisë. Ajo është paraqitur pak ditë më vonë sërish në maternitet me dobësi trupore. Mjekët e kanë trajtuar rastin, por gjendja e pacientes është rënduar në mënyrë të shpejtë. Më tutje ajo ka ndërruar jetë.
Në lidhje me rastin ka reaguar vetë materniteti, i cili bëri këtë njoftim:
“SUOGJ “Koco Gliozheni” I shpreh ngushëllimet familjarëve të së ndjerës me inicialet M.V., e cila ka ndërruar jetë disa ditë pas lindjes së foshnjës. 30-vjecarja është shtruar në spitalin tonë më datë 28 janar dhe nuk ka referuar asnjë patologji shoqëruese. Lindja natyrale ka shkuar mirë, duke sjellë në jetë një djalë të shëndetshëm. Pas 48 orësh qëndrimi në spital, ku ka marrë shërbimin e nevojshëm, nëna ka dalë nga spitali me dëshirën e saj, në gjendje shëndetësore të stabilizuar.
Disa ditë pas lindjes nëna e re është paraqitur në spital me dobësi trupore dhe menjëherë, pacientja është shtruar në repartin e terapisë intensive, ku është trajtuar komfom të gjitha protokolleve mjekësore. Pavarësisht përpjekjeve të stafit mjekësor, gjendja e pacientes është rënduar në mënyrë të shpejtë, duke ndërruar jetë. Priten rezultatet e Mjekësisë Ligjore për të mësuar shkakun e humbjes së jetës së pacientes.”