Flet fqinja e të ndjerës që humbi jetën në “Don Bosko”: Punonte për bukën e gojës, mblidhte edhe bidona plastikë

Punonte thuajse të gjithë ditën për të nxjerrë bukën e gojës, e njëkohësisht kujdesej për mbesën e saj të cilën e kishte si dritën e syve.

Kështu tregojnë fqinjët e Mimoza Pajës, gruas e cila humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e djeshme nga të shtënat në një lokal në Tiranë. 58 vjeçarja punonte në lokal si banakiere me dy turne për të mbajtur veten dhe mbesën me ushqim, për të paguar qiranë… për bukën e gojës.

Një ndër fqinjet e të ndjerës, tregoi për mediat se 58 vjeçarja ishte në vështirësi të mëdha ekonomike.

“Moza ishte një grua e urtë, shihte punën e saj. Një grua shumë e mirë, ajo e shkreta kishte dalë për të mbajtur familjen… madje dilte edhe blidhte edhe bidona (plastikë) për bukën e gojës. Ka disa vite këtu me qira, në kushte të vështira. I shoqi i ka vdekur para dy vitesh.

Unë kam qenë në shtëpi duke gatuar dhe djali vogël më ka treguar. Kur dolëm jashtë, mësuam se ishte vrarë Moza. Kur dola i dëgjova këto lajme. Për Zotin jemi të frikësuar, ke frikë të jetosh në punën tënde.

Ambulanca erdhi, kur dola e pashë ishte këtu. Mbesa ishte këtu, po qante. Më tha ‘o teta Bardha më kanë lënduar’, ajo ishte vrarë nga copat e xhamave. Erdhi e mori ambulanca pastaj e nuk e di më.

Moza kishte disa kohë që punonte aty, por nuk e di prej sa kohësh”-tregoi fqinja e të ndjerës.