Humbi rrugën në Karaburun, gjendet 64 vjeçarja: Kishte mjegull, nuk shikoja asgjë

Një 64 vjeçare është gjetur këtë të hënë nga autoritetet pasi humbi pasditen e djeshme rrugën në Karaburun. Një ekip i forcave delta dhe efektivë të tjerë nisën kërkimet në mbrëmje dhe mandej këtë të hënë, derisa mundën të gjejnë 64 vjeçaren.

“Ishte faji im. Humba kontaktin me grupin. Kishte shumë mjegull dhe prandaj nuk shikoja dot. Ishte pak ftohtë. Kam rreth 10 vjet që merrem me këtë sport.”-tha 64 vjeçarja për mediat, pasi u gjet nga oficerët.

“Në vijim të informacionit paraprak të dhënë ditën e djeshme, për shtetasen D. E., 64 vjeçe, e cila kishte humbur orientimin, për shkak të mjegullës, dhe ishte shkeputur nga pjesa tjetër e grupit të guidës turistike, ju informojmë se:

Sot, rreth orës 09:30, pas shumë orësh kërkime nga grupi i përbashkët i kërkimit të Delta Forcë dhe shërbimet e Stacionit të Policisë Orikum, u bë i mundur lokalizimi dhe gjetja e shtetases D. E., në vendin e quajtur “Gropat e Epirit”, në Karaburun.

Shtetasja D. E. është në gjendje të mirë shëndetësore dhe po shoqërohet nga grupi i Policisë, në Stacioni e Policisë Orikum, për t’iu bashkuar familjarëve të saj.”-njoftoi policia.