Gjykata Penale Ndërkombëtare lëshoi urdhër arresti për Vladimir Putin, çfarë ndodh tani

Gjykata Penale Ndërkombëtare (ICC) lëshoi këtë të premte një urdhër arrest për Presidentin rus Vladimir Putin. Gjykata argumenton se Putin është përgjegjës për krime lufte, ndërsa fokusin gjykata e ka vënë tek pretendimet për dëbimin e paligjshëm të fëmijëve nga Ukraina në Rusi.

Gjykata thotë se këto krime janë kryer nga 24 shkurti i vitit të kaluar, kohë e cila ishte pikënisja e sulmit rus në Ukrainë.

Moska tashmë ka reaguar në lidhje me këtë akuzë nga ICC, duke e quajtur fletën e arrestit “të papranueshëm”.

BBC raporton se fare pak pritet të japë kjo fletë arresti, pasi Gjykata Penale Ndërkombëtare nuk ka fuqi për të arrestuar të dyshuarit dhe mund të veprojë vetëm në shtetet ku janë nënshkruar marrëveshje respektive. Rusia nuk është pjesë e shteteve që kanë marrëveshje me ICC-në, kësisoj nuk ka gjasa që Presidenti Putin të ekstradohet… nga ana tjetër, ky urdhër arresti mund të ndikojë në të tjera mënyra, si përshembull duke i pamundësuar Putinit udhëtimin e lirshëm në vende të tjera.

Në një deklaratë të ICC-së thuhej se gjykata ka të dhëna të arsyeshme për të besuar se Presidenti Putin ka kryer krime lufte në mënyrë të drejtpërdrejtë, por edhe duke punuar me të tjerë. Gjykata po ashtu thotë se Putin dështoi të përdorë pushtetin e tij si President, për të ndaluar deportimin e fëmijëve. Njëlloj si Putin, ICC-ja ka lëshuar një fletë arresti edhe për komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Lvova-Belova.

BBC raporton se në të shkuarën Lvova-Belova ka folur hapur për orvatjet për indoktrimin e fëmijëve ukrainas që janë sjellë në Rusi.

Në përgjigje të të gjitha akuzave, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se vendime të tilla janë “nul” për Rusinë.

Ndërkohë ish- Presidenti rus Dmitry Medvedev shkoi deri aty sa t’i krahasonte urdhër arrestet me letrën higjenike.

“Nuk ka nevojë të shpjegojmë se ku duhet përdorur kjo letër”-shkroi Medvedev në rrjetin social Twitter, duke i bashkëangjitur mesazhit një emoji të një letre higjenike.

Lideri i opozitës në Rusi, (i burgosur) Alexei Navalny e mirëpriti njoftimin, ndërsa bashkëpunëtori i tij më i afërt Ivan Zhdanov, postoi mbi rastin  duke shkruar “Wow!… një mandat arresti për Putin. Një hap simbolik, ama mjaft i rëndësishëm”

Prokurori i Përgjithshëm i Ukrainës Andriy Kostin shkroi se vendimi ishte një moment “historik për Ukrainën dhe të gjithë sistemin ndërkombëtar ligjor”, ndërsa stafi i Presidentit Zelenski, reagoi duke thënë se “ky është vetëm fillimi”.

Po tani çfarë ndodh?

Urdhri për arrestimin e Presidentit Putin ka pak gjasa të arrihet ndonjëherë në Rusi, por nga ana tjetër tashmë liria e udhëtimit të liderit rus, me gjasë do të tkurret.

Jonathan Leader Maynard, një lektor i “King’s College London”, u shpreh për BBC-në se ICC-ja “bazohet në kooperimin mes qeverive për arrestimin e personave”. Me fjalë të tjerë, ky urdhër arrest do të impaktojë aftësinë e Putin për të lëvizur lirshëm nëpër botë, pasi shtetet që kanë marrëveshje me ICC-në, do të jenë të detyruara të kryejnë detyrën.