Kishte përfunduar punën dhe po udhëtonte drejt shtëpisë, pa e ditur se e diela (dje) do të ishte dita e fundit për efektivin Agron Shaba. Oficeri 48 vjeçar u përplas në aksin “Patos- Fier” me një makinë tjetër që drejtohej nga një 27 vjeçar. Fatkeqësisht, oficeri ndërroi jetë.
Numri i aksidenteve rrugore gjatë kohëve të fundit në Shqipëri, duket me të vërtetë shqetësues. Vetëm në muajin që lamë pas, ka patur 88 aksidente rrugore, 11 më shumë se në shkurtin e vitit të kaluar.
Sipas Institutit të Statistikave numri i të aksidentuarve (të vrarë dhe të plagosur) rezulton 123 persona nga 100 në muajin shkurt 2022.
Në shumicën dërrmuese të rasteve, aksidentet vijnë prej sjelljes së drejtuesve të makinave. E në tërësi shpejtësia mbetet ende faktori kryesor që çon në aksidente me vdekje e të lënduar në Shqipëri. Ajo që e bën edhe më alarmante situatën është fakti se aksidentet me pasoja të rënda kryhen nga moshat 35 deri në 44 vjeç. Një tjetër detaj i referuar statistikisht, tregon se aksidentet ndodhin më së shumti të hënën dhe të enjten, ndërsa e mërkura është dita me më pak aksidente.Qarqet më numrin më të lartë janë Tirana, Durrësi, Gjirokastra dhe Fieri.
Rasti i sotëm në Vlorë, një person dy aksidente në pak minuta
Këtë pasdite një 45 vjeçar i quajtur Arlind Lagji, aksidentoi një këmbësore rreth të 60-tave në Vlorë. Pasi shtypi gruan në rrugën “Gjergj Araniti”, 45 vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes dhe pak minuta më pas, u përfshi sërish në aksident. Kësaj here 45 vjeçari goditi nga pas një automjet duke plagosur dy personat që ndodheshin në të