Shqipja është një nënë… por në radhë të parë një grua heroinë. E vetme ajo rriti 4 fëmijët e saj. Iu desh të bëhej nënë e baba për fëmijët. Mundi dhe sakrificat e saj kanë qenë të jashtëzakonshme, por kohët e fundit, një sprovë e vështirë i doli përballë…
Shtëpia e Shqipes në Prishtinë u përfshi nga flakët. Gjithçka kishte ajo dhe fëmijët e saj u shkrumbuan me zjarrin. Pavarësisht gjithë kësaj, Shqipja shprehet falenderuese… fundja asnjë prej fëmijëve të saj nuk u lëndua.
“Faleminderit Zotit më shpëtuan fëmijët… po të ishte djegur ndonjë prej tyre, jeta nuk na duhej më”-rrëfen nëna.
Në krah të nënës qëndron përherë Adhurimi, djali i madh. 21 vjeçari ishte ai që nxorri nga flakët dy motrat dhe vëllain e vogël 11 vjeçar. Adhurimi punon për të ndihmuar nënën, për të nxjerrë bukën e gojës… por tanimë, kjo familje ka mbetur pa një kulm mbi kokë.
Me lot në sy, Adhurimi 21 vjeçar iu drejtua me një thirrje për ndihmë të gjithë shqiptarëve. E vetmja gjë që ai kërkon është që të mos lërë pa banesë nënën, motrat dhe vëllain e vogël.