I shoqi e braktisi…e asaj iu desh të rriste katër fëmijë e vetme. Vetëm shpirti dhe vullneti i një nëne mund të bëjë të mundur një sakrificë të tillë.
Por ky ishte fati i Shqipes, t’ja dilte mbanë, të rriste 4 jetimët e saj. Dhe kjo nënë nga Kosova mundi t’ja dalë. Me vështirësi, me lodhje të tejskajshme, ajo i rriti fëmijët siç mundi, me aq të mira sa pati mundësi të jepte për dy djemtë e dy vajzat e saj.
Kur i kujton ditët e vështira, sytë e Shqipes fillojnë të mbushen në lot… sa shumë sakrifica bën njeriu për fëmijën e tij.
Shqipja: Kam jetuar e vetme, i kam rritur me shumë mundime fëmijët. Jam munduar t’i ofroj çdo të mirë…
Por kjo nënë e vuajtur kurrë nuk e kishte menduar se një fatkeqësi do ta linte në mjerim të plotë. Pak ditë më parë, shtëpia e saj u përfshi nga flakët.
“Kurrë nuk e kam paramenduar se do të ndodhë nonjëherë kjo. Tymi na bllokoi të gjithë”-rrëfen Shqipja, ndërsa kujtimi i asaj nate është ende i freskët në mendjen e saj dhe të fëmijëve.
Më e vështirë për të është kur sheh fëmijët të traumatizuar nga ajo që ndodhi. Brenda pak minutave, qetësia dhe siguria e një kulmi mbi kokë, u shkatërruan para syve të tyre. Shqipja thotë se ditët e para fëmijët nuk flisnin për shkak të traumës… zjarri ia mori të gjitha.
“Shumë e vështirë është kon për neve. Qe dy ditë nuk kam mujtur me fol, nuk jena mirë hiç. Kena vjellje, koka shumë na dhemb. Çdo sekond po e përjetojmë dhimbjen, në veçanti fëmija, kanë mbetur me traumë. Kursimet kam tentu me hy me i marrë, të mos i le fëmijët pa gjë… nuk mujta me shpëtu asgjë, hiç asgjë. Djali erdh e më tërhoqi, asgjë nuk u shpëtua.”-tregon për “Shqiptarët për Shqiptarët” Shqipja.