Mbi 1 milionë vetë në rrugët e Francës, foto nga protesta masive për reformat në pensione

Franca është përfshirë në një valë protestash masive që lidhen me kundërshtimin e reformave në sistemin e pensionit në vend. Plani i qeverisë ndër të tjera është rritja e moshës së daljes në pension, një vendim që është kundërshtuar nga sindikatat e shumë qytetarë.

Ditën e djeshme në rrugët e Parisit e qyteteve të tjera kryesore të Francës, protestuan mbi 1 milionë persona, një numër që u publikua zyrtarisht nga ana e qeverisë (Ministria e Brendshme). Ndërkohë drejtuesit e sindikatave dhe unioneve thanë se kishte afro 3.5 milionë protestues.

Në disa vende, protestat u kthyen në të dhunshme, duke sjellë përplasje të ashpra mes forcave të policisë e qytetarëve. Sipas të dhënave nga Ministria e Brendshme franceze, të paktën 149 oficerë policie u plagosën, ndërsa 172 protestues u arrestuan. Dhjetëra qytetarë po ashtu u lënduan.

“Reuters” shkruan se demostratat në qendër të Parisit ishin paqësore në tërësi, ndërsa grupet e “bllokut të zi” kryen disa akte dhune në rrugë.

BBC ka sjellë këtë të premte një seri me foto të protestave dhe pasojave që solli përplasja e ashpër mes forcave të policisë dhe demostruesve.