Autobusi përplaset e mandej përmbyset në “Rrugën e Elbasanit”, 7 persona të lënduar

Një autobus i linjës së Lundrës është aksidentuar këtë të dielë në Tiranë, në rrugën e Elbasanit (pranë zonës së Saukut)

Drejtuesi 42 vjeçar i automjetit ka humbur kontrollin dhe ka devijuar në një xhep të rrugës, duke goditur dy makina. Mandej autobusi është rrëzuar në anë, e për pasojë janë lënduar 7 persona. Fatmirësisht asnjë prej të lënduarve nuk ka marrë plagë serioze.

Nga dyshimet e para të autoriteteve, mendohet se automjeti ka patur probleme me sistemin e frenimit. Shoferit ndërkohë i janë bërë testet përkatëse dhe ka rezultuar se nuk ka qenë nën efektin e alkoolit.