A duron dot një baba, një prind, dhimbje më të madhe sesa përballja me sëmundjen e fëmijës… nëse do të pyesnim këtë baba nga Kosova, përgjigja do të ishte e menjëhershme. Vajza e tij Jasmina, veçse 20 vjeçe, u prek nga sëmundje e leuçemisë akute. Kur Emin Neziraj mësoi lajmin, zemra dhe shpirti iu rënduan.
U mundua të bëjë gjithçka për të gjetur një kurim për të bijën. Arriti të gjejë një spital në Turqi që mund të kuronte të bijën, por mundësitë financiare ishin fare të pakta.
“Shqiptarët për Shqiptarët” i doli në krah, duke publikuar lutjet dhe lotët e tij. E lotët e këtij babai, mësues me profesion, peshuan fort në zemrat e shqiptarëve. Shuma e nevojshme për kurimin e Jasmines u arrit dhe 20 vjeçarja u nis drejt Turqisë.
Kaluan ditët, kaloi kohë dhe së fundmi, Emini erdhi në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët” për ta rrëfyer ai vetë, se çfarë ndodhi dhe çfarë pritet të ndodhë me të bijën.
Në fillim të rrëfimit të tij, Emini na dha lajmin e mirë se dhuruesi i qelizave amë për Jasminën është gjetur dhe se trupi i të bijës, ka reaguar mirë ndaj kemio-terapisë.
Emin Neziraj: Ju falenderoj për ftesën që më keni bërë, që më keni plotësuar dëshirën të takoj ushtarin e Zotit (Elvis Naçin). Kisha dashur t’ju uroj të gjithëve agjërim sa më të lehtë në këtë muaj të bekuar të Ramazanit.
Ju e keni parë sesi e përjeton një prind momentin kur e kupton se evladi i tij vuan nga një sëmundje pothuaj e pashërueshme. Dua të filloj me pozitivitet, duke ju dhënë një lajm të mirë. Jasmina po përgatitet për transplant dhe deri më tani organizmi i saj i ka përballuar të gjithë dozat e parapara të kemio-terapisë. Gjithashtu është gjetur donatori i qelizave amë, i cili është shtetas i Turqisë. Qelizat e tij përputhen me qelizat e Jasminës me 97%. Pra në emër të Zotit, Jasmina do ta fitojë një vëlla binjak.
Por të jem disi më objektiv, në të vërtetë, ishte një shok për ne. Duke ditur se ne nuk i dimë aq shumë për këto sëmundjet kancerogjene. Ai është një knock doën për secilin prej nesh. Në të kuptuarit se ime bijë vuante nga një sëmundje akute, po them se njeriu nëse nuk trajtohet menjëherë, jetëgjatësia nuk shkon mëse 3-6 muaj. Sfida më e madhe ishte grumbullimi i mjeteve financiare. Ne që jetojmë në Kosovë, apo edhe në Shqipëri, për fat të keq nuk i kemi spitalet të profesionalizuara siç janë jashtë shtetit. Ne kosovarët ende nuk kemi qasje, lëvizje të lirë në Evropë dhe e vetmja mundësi që kam parë si prind, ka qenë dërgimi i Jasminës në një spital të Turqisë, atje ku trajtohen me sukses këto sëmundje. Përgjigja e tyre ka qenë se mund të bëhet, por që vlera e trajtimit të saj do të ishte 140, 000 euro. Unë me të gjithë miqtë, shokët e profesorët, kolegët e mi, jemi grumbulluar… filluam, por në të vërtetë ka qenë vështirë. Nuk kemi mundur… pa ndihmën tuaj, pa ndihmën e fondacionit Firdeus, pa ndihmën e shqiptarëve, pa ndihmën e Zotit… (përlotet)
Kemi arritur të grumbullojmë mjetet, i kemi bërë të gjitha sebepet që kemi mundur e patur në dorë. E tanimë, Jasmina gjendet në fazën jetime, në fillimin e transplantit të qelizave, ditë që do të ndodhë më 10 prill.
Në rastin e Jasminës por edhe në raste tjera, po shoh humanitet mes shqiptarëve. Por unë dua të thëm diçka, në Pejë, flitet se na shqiptarët jemi humanë… por na mungon besimi. Ama në rastin e Jasminës, ne kemi patur besim të plotë tek ju dhe fondacioni Firdeus.
Do të jem i sinqertë me publikun, por që nga dita e parë e deri më tani, ne e kemi patur një konstruktivitet e komunikim njerëzor me fondacionin. Unë personalisht jam duke përcjellë trajtimin e Jasminës e sesi shpenzohen paratë e mbledhura për vajzën time, unë jam autorizuesi, menaxheri në njëfarë forme i mjeteve për Jasminën. Dashtë Zoti, mos të shpenzohen të gjitha paratë e mbledhura dhe pjesa tjetër të shkojë për të ndihmuar të tjerët.
Elvisi: I nderuar Emin, do doja të thoja …. edhe ne në rastet që trajtojmë, t’ju them të drejtën, jo të gjithë janë si puna juaj. Ne të shprehim falenderimet për rrëfimin tëndë, që jemi mirkuptuar, e ne quhemi vëllezër. Ne të falenderojmë për kulturën, mirësinë, durimin, të qenit një baba e familjar me të vërtetë shembullor.