Harta e re sizmike e Shqipërisë, cilat rajone janë më të rrezikuara

Së shpejti Shqipëria do të ketë një hartë të re sizmike, por ndryshe nga e shkuara, nuk do të ketë një ndarje zonale për rrezikun sizmik, pasi i gjithë territori do të konsiderohet njëlloj i riskuar.

Gjatë një konference shkencore për ngjarjet sizmike në rajonin tonë, ekspertët e sizmiologjisë janë të gjykimit se të gjitha ndërtimet në Shqipëri duhet të zbatojnë kode të qarta ndërtimi (eurokod 8) që përballojnë tërmete me intensitet 8 ballë.

“Nuk do të ketë një ndarje zonale të mirëpercaktuar për faktin se efekti i tërmetit shtrihet në hapësire dhe është e pakuptimtë të kemi një ndarje zonale dhe të themi kjo zonë e territorit është më e prekur apo e rrezikuar në raport me zonat e tjera kur këto zona në fakt ndërveprojnë me njëra-tjetrën. Harta e re është bazuar në atë që njihet sizmioteti i lëmuar ka informacion tektonik dhe duke qenë se Shqipëria është në një revolucion të këtyre kodeve. Do jetë pjesa bazale mbështetese për kodet anstisizmik që duhet të ketë Shqipëria”, shpjegoi sizmiologu Edmond Dushi.

Sizmiologu Llambro Duni shpjegoi nga a e tij se Shqipëia ka aktivitet të ngjeshur sizmik, por shumica dërrmuese e tyre janë mikrotërmete ose tërmete me magnitudë të vogël

“Territori shqiptar shquhet për mikrotërmete dhe tërmete të vegjël që nuk përbëjnë problem, është çlirim energjie në të gjithë territorin, nuk është në një zonë të caktuar që të jetë e përqëndruar diku, nëse do ishte kështu do përbënte shqetësim për aktivitetin sizmik.”-shpjegoi Duni.

Por cilat janë rajonet që kanë më shumë rrezi të përjetojnë tërmete me magnituda më të mëdha?

“Janë zona perëndimore e vendit. Është brezi Vlorë – Berat – Elbasan – Dibër dhe pjesa lindore”– shpjegoi sizmiologu Duni, i cili shtoi se “Kur flasim për procesin e ndërtimit, është shumë i rëndësishëm si projektimi ashtu edhe zbatimi. Unë mendoj se inxhinierët tanë e bëjnë detyrën e tyre. Nuk ka inxhinier në Shqipëri i cili mund të projektojë jashtë atyre kërkesave dhe standardeve që kërkohen. Mendoj që është imediate, është imperative që ne të rrisim kontrollin mbi procesin e ndërtimit”.

Pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, instituti i gjeoshkencave pritet të dyfishojë  aparaturat për monitorim më të saktë e të detajuar në vend.