Pamje spektakolare, “aurora australis”…. ose dritat e jugut

Dritat e jugut, të njohura si ‘aurora australis’, kanë sjellë pamje me të vërtetë mbresëlënëse përgjatë gjithë Zelandës së Re.

Qielli i natës është mbuluar nga ngjyra vibrante jeshile dhe roze. Richard Zheng, një vëzhgues i këtij fenomeni, treoi se këtë javë fenomeni i dritave të jugut ka qenë mjaft i fortë krahasuar me vitin e kaluar.

“Kur përballesh me këtë skenë, menjëherë harron hallet e tua ditore, mendja të shkon tek fakti sesa të vegjël jemi përpara natyrës”-tha për BBC-në Zheng.

Ashtu si ‘aurora borealis’  (në polin verior), ‘aurora austrialis’ mund të vëzhgohen pranë polit jugor të planetit.

Edhe pse aurorat mund të ndodhin në çdo kohë, në më të shumtën e rasteve ato mund të shihen përgjatë marsit dhe shtatorit, kur orientimi i Tokës ka më shumë gjasa që të ‘presë’ grimcat e ngarkuara që vijnë nga stuhitë dhe era diellore.

Ngjyrat e aurorës përcaktohen nga përbërja e atmosferës që ‘goditet’ nga era diellore. Më shumë oksigjen në ajër (në zonën e goditur) nënkupton prodhimin e dritës jeshile deri në të verdhë, ndërsa më shumë nitrogjen (azot) nënkupton dritë më në të kuqe ose blu.