Në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, Fondacioni “Firdeus” dhe “Shqiptarët për Shqiptarët” kanë vendosur t’i dalin sërish në krah familjeve me jetimë, kësaj here duke përcjellë një model dhe ftesë për këdo shqiptar që kërkon të lumturojë nevojtarët.
Me ndihmën e vajzave të konviktit “Firdeus”, Fatma Naçi e Meri Bejleri shoqëruan dhjetëra familje me fëmijë jetimë e nevojtarë, për t’u dhënë një karrocë me ushqime për muajin e Ramazanit.
“Është një ditë e veçantë sot sepse kemi ardhur me fëmijë jetimë, të cilët kanë vështirësi ekonomike. Me shoqërinë e vajzave tona të konviktit “Firdeus”, jemi sot këtu për t’i ndihmuar nënat e jetimëve.”-tha Fatma.
“Është gjithmonë privilegj kur vijmë për të tilla organizime”-tha Meri Bejleri.
Dhjetëra familje e fëmijë jetimë morën mbushën një karrocë me ushqime.
“Kam marrë vaj, oriz, makarona… sot jam shumë e kënaqur, Allahu ua shpërbleftë, për ata që agjërojnë, Allahu ua lehtësoftë.”-tha një nënë.
“Unë mora çokollata, patatina edhe ushqime… shumë faleminderit, Zoti ua shpërbleftë.”-tha një vajzë e vogël, buzëqeshja e të cilës të mbush zemrën me gëzim.
“Jemi shumë të lumtura. Na keni ndihmuar edhe këtë vit për Ramazanin. Është një muaj që na frymëzon, na sjell dashuri e harmoni. Ju faleminderit.”-tha një grua në moshë.
“Për mua është e vështirë, jam nënë e vetme. Për mua është ndihmë e madhe kjo.”-tha një nënë e cila ka fëmijë jetimë.
“Na keni ndihmuar shumë, mua dhe djalin. Allahu ua shpërbleftë e gëzuar të gjithë muajin e madhëruar të Ramazanit.”-tha një tjetër nënë.
“Gjëja më e bukur në jetë që mund të bëjë njeriu është, të ndihmojë fëmijët jetimë. Elvis Naçi ka nisur një rrugë të mirë, emri i tij do të mbahet mend për mirë. Ju bekoftë Zoti për ndihmën që jepni për jetimët”-tha një tjetër nënë.
“Ne ju ftojmë të gjithë juve, që gjatë Ramazanit të dhuroni dhe ju nga një karocë me ushqime për fëmijët e familjet me jetimë. Po largohemi nga këtu me zemrën të mbushur plot lumturi.”-tha Fatma Naçi.
“Besoj për ne ishin me rëndësi këto fytyra të buzëqeshura. Bëni të lumtur një jetim dhe do të kuptoni sesa kënaqësi e madhe është”-tha Meri Bejleri.