Makina e tyre e përmbysur në përrua, si humbën jetën në aksident çifti nga Devolli

Arjani dhe Majlinda po udhëtonin me makinë kur 55 vjeçari ka humbur kontrollin e automjetit dhe ka rënë në përroin e Lengajcës. Autoritetet njoftuan se ngjarja ka ndodhur rreth orës 07:45 të këtij mëngjesit në aksin rrugor Prrenjas- Librazhd.

Hetimet për zbulimin e shkakut vijojnë, por deri më tani dyshohet se lagështia në rrugë ka bërë që shoferi të humbë kontrollin e mjetit. Familjarët kanë qenë në komunikim me telefon gjatë orëve të natës me çiftin dhe më pas kontakti është shkëputur. Këta të fundit janë alarmuar dhe kanë njoftuar policinë për të nisur kërkimet, derisa në orët e mëngjesit të sotëm është gjetur makina dhe burrë e grua të pajetë.

“Rreth orës 07:45, në aksin rrugor “Librazhd-Prrenjas”, shtetasi A. Y., rreth 55 vjeç, banues në Devoll, duke drejtuar automjetin tip “Volkswagen”, ka humbur kontrollin mbi drejtimin e automjetit dhe për pasojë automjeti ka dalë nga rruga dhe ka rënë në përroin e Lengajcës.

Nga ky aksident kanë humbur jetën shtetasi A. Y. dhe bashkëshortja e tij, shtetasja M. Y., rreth 50 vjeçe, e cila ishte pasagjere në këtë automjet. Shërbimet e Policisë dhe ato të Zjarrfikëses ndodhen në vendin e ngjarjes dhe vijojnë punën për nxjerrjen e trupave të të 2 shtetasve që ndodheshin në automjet. Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij aksidenti.”-njoftoi policia.