Doli për të mbledhur dru, por nuk u kthye më në shtëpi… misteri i zhdukjes së një nëne 45 vjeçe

Kishte dalë për të mbledhur dru, një punë që Veziko Bojko e kishte bërë dhe herë të tjera… por prej mëse dy javësh ajo i ka humbur kontaktet me familjen dhe nuk gjendet.

Djali me babain, barinj në fshatin Tërbaç, vijojnë ende të kërkojnë 45 vjeçaren, por deri më tani nuk ka shenja nga ajo.

“Nuk e di çfarë të them. Gruaja doli për të bërë dru. Kërkime kemi bërë shumë, por nuk e kemi gjetur…edhe sot dolëm bëmë kërkime”-tha i shoqi në një prononcim për A2cnn.

“Më tha po dal të bëj dru. Ndal i thash ku shkon, prit të hash diçka. Jo më tha s’dua dhe mandej doli.”-kujton i biri i 45 vjeçares, i cili shton “vijojmë ende kërkimet, por nuk kemi gjetur gjë”.

Policia është njoftuar prej kohësh. Edhe autoritetet (police e zjarrfikës) kanë kryer kërkime, por deri më tani nuk ka asnjë shenjë nga gruaja. Sipas të dhënave nga banorët e zonës, 45-vjeçarja vuante nga probleme të shëndetit (epilepsia). Frika është se mos e ndjera është larguar pasi ka vendosur t’i japë fund jetës së saj.