Vajza e saj u përball me tumorin, lotët e nënës së Dilarës dhe mesazhi i saj për prindërit e sprovuar

“Kur e mora vesh që fëmija im ka tumor… thashë do e humb fëmijën. Ishte shumë e vështirë. Veshkën ia kanë hekur, dy kilogramë prej trupit tumor i hoqën. Në operacion mu duk sikur ma morën mua zemrën… sikur po shkoja drejt vdekjes unë. Krejt jeta mu ka prish atë ditë.

Dilara më parë kishte flokë shumë të bukura, me dredha. Kur i hiqja flokët me gërshërë, qante vajza, më thoshte pse mo mi hek flokët…

Çdo sekondë që kalon, jeta e Dilarës po bëhet keq e më keq. Ka tumor që rritet e zhvilloht përnjëherë në trup. Ne nuk kemi mundësi ta dërgojmë vajzën jashtë shtetit, sepse terapitë kushtojnë 60 mijë euro. Për shkak të sëmundjes, çika është në dhimbje… nuk ka më keq për një nënë të shohë fëmijën kështu. Sepse unë me pat mundësi, shpirtin tim e kisha dhënë për Dilarën. I lutem të gjithë shqiptarëve, që t’ja shpëtojnë jetën Dilarës.”

Ky ishte rrëfimi që bëri një nënë shqiptare e Kumanovës. Në dhimbje të pamatë prej kohësh, ajo iu drejtua me një thirrje për ndihmë të gjithë shqiptarëve. Thirja e saj u publikua në nëntor të vitit të kaluar dhe brenda 24 orëve, paratë e nevojshme për Dilarën u mblodhën. Vogëlushja ende nuk i kishte mbushur 4 vjeç dhe u bë gati të nisej për kurim jashtë shtetit.

Momentet kur nëna e vogëlushes u desh të ndahej nga e bija, ishin një nga ato çaste që të bëjnë të kuptosh se nuk ka dashuri më të fortë në këtë botë… se dashuria e nënës për fëmijën.

“Shpirti mamit, do të të dalin sërish flokët. Me ndihmën e Zotit, unë i falenderoj krejt shqiptarët, donatorët, që u mblodhën kaq shpejt paratë. Lutje natë e ditë do të bëj për krejt ata që ndihmuan e u lutën për vajzën time

Spirti mamit, ka për të më marrë malli shumë, nuk e di sesi do ja bëj. Uroj, do Zoti ia del, ikën kjo sprovë e madhe. Inshallah do Zoti, ikën sprova o shpirt, unë më shumë nuk dua se kaq… (qan) nuk e di sesi do rri pa ty o Zot (qan)”

“Sot Dilara ikën në Turqi, së bashku me tim shoq. Zoti ju shpërbleftë të gjithëve… (qan) unë do doja të isha pranë Dilarës, por kam dhe fëmijët e tjerë e s’mundem. Do iki im shoq. Dashtë Zoti ajo bëhet mirë… (qan) shpresoj kur të kthehet, t’i ketë sërish prap flokët të bukura, ta ketë sërish jetën të bukur. Të du shumë o shpirt të du shum… (qan me dënesë)”

Kanë kaluar tashmë kohë nga këto momente që të mbeten në kujtesë… dhe fatmirësisht në këtë muaj të bekuar të Ramazanit, lajmet janë të mira. Në një lidhje live në emisionin “Shqiptarët për Shqiptarët”, nëna së bashku me Dilarën përshëndetën të gjithë ata njerëz që ndihmuan për kurimin e vogëlushes, tashmë 4 vjeçare. Nëna e Dilarës na dha lajmin e mirë se 4 vjeçarja i është përgjigjur mirë të gjitha kurave dhe terapive të deritanishme. Gjatë fjalës së saj, kjo nënë dha një mesazh për të gjithë ata prindër, të cilët mbase njëlloj si ajo, janë sprovuar tek fëmijët e tyre.

Nëna: Dilara për momentin është shumë mirë. Terapitë i ka përfunduar të gjitha me sukses, tanimë pritet Pe tscan për t’u bërë dhe për të kuptuar sesa është përmirësuar Dilara.

Elvisi: Po na jep një lajm shumë të mirë. Zoti ju dhëntë sabër e durim, sepse ajo që pamë ishte shumë prekëse. Kur kemi mirësi themi faleminderit o Zot e kur kemi sprova duhet t’i durojmë ato. Lajmi që po na jep, na tregon se ka shenja të mira për Dilarën.

Nëna: Desha t’ju falenderoj më së pari juve, dhe të gjithë ata shqiptarë që kontribuan për Dilarën. Edhe njëherë doja të them, inshallah në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit, t’ju kisha falenderuar dhe t’u kisha thënë atyre prindërve që janë sprovuar, të mos mërziten, por të bëhen të durueshëm dhe të besojnë në Zot.