Gjykata Speciale ka dalë me një tjetër vendim në lidhje me ish- komandantin e UÇK-së Salih Mustafa, duke i kërkuar atij që të paguajë dëmshpërblim prej plot 207 mijë eurosh.
Në dhjetor të vitit të kaluar, Mustafa u shpall fajtor për akuzat e vrasjes së paligjshme, ndalimit arbitrar e torturës, gjatë kohës së luftës në Kosovë (1999).
Gjykata e shpalli këtë të enjte vendimin, duke konstatuar se tetë viktimave u takon dëmshpërblim.
Konkretisht sipas verdiktit të Speciales, viktimat kanë qenë të ndaluar në një qendër ndalimi në Zllash dhe kanë pësuar dëmtime fizike e psikike prej keqtrajtimit. Sipas gjykatës madje, atyre iu është shkaktuar edhe dëm material pasi ai keqtrajtim ua kishte ndryshuar rrjedhën e jetës dhe pamundësuar zhvillimin e një karriere (tre personave)
Gjykata urdhëroi që për tre prej tyre (viktima të drejtpërdrejta) të jepet dëmshpërblim prej 80 mijë, 60 mijë e 30 mijë euro.
Në vendim përfshihen edhe 5 viktima jo të drejtpërdrejta (familjarët e një personi që ka ndërruar jetë) e që sipas gjykatës vdekja e tyre “mund t’u atribuohet veprimeve dhe mosveprimeve të zotit Mustafa si komandant i BIA-s”.
Këta familjarë, sipas gjykatës duhen dëmshpërblyer, konkretisht: 3 prej tyre me nga 10 mijë euro, 1 me 5 mijë dhe 1 me 2 mijë euro.
Gjykata thekson në vendim se përgjegjësitë e pagesës bien mbi Salih Mustafën. Pavarësisht kësaj, është konstatuar se ‘komandant Cali’ nuk i zotëron këto para dhe kësisoj, buxheti i shtetit të Kosovës (përmes Ministrisë së Drejtësisë) është përmendur nga gjykata si opsion për sigurimin e shumës së parave.