Jo të pakta i pati vuajtjet. Plot dy vite dhimbje. S’mund të ecte dot si pasojë e problemeve në gjunjë… e jeta ishte bërë një e tatëpjetë që Altini, veçse 12 vjeçar, s’mund ta ngjiste.
“Shqiptarët për Shqiptatët” e publikuan rastin e djalit nga Zallbastari pak ditë më parë dhe falë karvanit të bamirësisë së shqiptarëve, në këtë muaj të bekuar të Ramazanit… u bë e mundur që Altini të kryejë operacionin për këmbët.
Pas ndërhyrjes së parë, e cila ishte dhe më e vështira, Elvis Naçi i shkoi për vizitë 12 vjeçarit. Në dhomë me Altinin është e ëma dhe motra e vogël… Orgita i hidhet në krahë Elvisit, duke e falenderuar me përzemërsi.
Orgita: Xhaxhi Visi… faleminderit që ma shërove vëllain.
Elvisi buzëqesh: Marshallah, Zoti të ruajtë.
Elvisi: Altin si je? Mirë dukesh? Rri i qetë… mbështetu se kur je ti mirë, jemi dhe ne mirë. Besoj ke pak dhimbje nga ndërhyrja, e përballueshme?
Altini: Kam pak dhimbje, por gjithsesi, jam shumë i gëzuar…
E mes rrezatimit që sjellin sytë e gëzuar të Altinit, Elvisi gjen rastin t’i tregojë atij dhe të ëmës mbi një rast mjaft domethënës.
Elvisi: Do të them diçka që transmetohet edhe është shumë prekëse… tregohet për një njeri që do të dalë përpara Zotit… Zoti i gjithësisë do t’i drejtohet e do t’i thotë, “pse nuk më vizitove mua kur isha i sëmurë?” Dhe ky i thotë, o Zoti i gjithësisë, ç’lidhje ka sëmundja me ty, kur ti je i Madhërishmi. E Zoti i përgjigjet, “jo…por po ta kishe vizituar një të sëmurë, do të më kishe gjetur Mua aty”. Pra në kuptimin që nëse do të vizitoje të sëmurin, atje do të gjeje mëshirën, faljen time….
Në bëmë diçka më shumë, së bashku me shqiptarët. Dhamë mundësinë që Altini të shkojë e të hyjë në operim, jo vetëm ta vizitojmë. Ne shpresojmë më shumë mirësi prej Zotit, kur jemi afër, pranë njëri- tjetrit. Ndonjëherë vëmendja e shoqërisë nuk është ku duhet e ne mundohemi të kemi vëmendje pikërisht atje ku ka nevojë. Për ty Altin, kanë bërë lutje shumë shqiptarë, që ti të jesh më mirë, e ardhmja juaj dhe e jotja të jetë më e mirë… sikur vetëm një lutje të jetë pranuar, juve do t’ju shohë i madhi Zot me të mira.
Është thënë, njeriu më i dashur tek Zoti, është njeriu që është më afër njerëzve të tij. Besimi i vërtetë, është ai i cili përkthehet në vepra të mira. Besimi në Zot, është kur ti bën diçka të mirë për njerëzit e tij. E nga veprat më të mira, është pikërisht të shërosh një të sëmurë.
Nëna e Altini: Ne i falenderojmë pamasë shqiptarët dhe ju, që na keni qëndruar pranë.
Elvisi: Amin, Zoti të shpërbleftë. Altin, pe diçka. Mosha juaj është e vogël, e mbase mund të kesh dëgjuar ndonjë fjalë që mund të të ketë lënduar. Jeni moshë e vogël, e në këtë aspekt, ti duhet të jesh tolerant. Mos harro se shqiptarët u bënë bashkë me ty dhe se njerëzit janë pozitivë. Ne vetëm duhet t’ja ngacmojmë zemrën, se çdo njeri kur e ka krijuar Zoti, ia ka vendosur në zemër të mirën. Po ta them sinqerisht, njerëzit janë prekur sikur të të kenë patur evladin e vet. Unë do të bëj lutjet e mia, e do të them, inshallah ke jetën e gjatë dhe inshallah, e mbush atë me vepra të mira.