Qëkur ishte 14 vjeçar, vendosi të hyjë në punë pasi gjendja ekonomike e familjes ishte e vobektë. E që prej asaj kohë, në vitet ’70, Ilirjani ka 50 vite që kryer të njëjtën punë.
I njohur në Gjirokastër si një ndër të paktët këpucarë të qytetit, Ilirjani kujton në një intervistë për abcnews, fjalët e të atit…
“Sa kam mbarua klasën e tetë, 14 vjec, gjendje ekonomike e dobët, donim s’donim do të punonim. Me këtë zanat kemi mbatur familjen. Kam që në 1973, sa kam mbaruar klasën e tetë. Mora një fletë pune nga këshilli i punës dhe që atëherë nuk jam shkëputur. U kualifikova. Aty përfitova kategorinë e shtatë dhe titullin mjeshtër… ëndrra ime ishte të bëhesha mekanik, por babai me thoshte ‘pa këpuce nuk rri njeri.’ Falë atij jam sot zanatçi.”-tregoi Ilirjan Stroka
Ilirjani tregon se dikur njerëzit nuk kishin këpucë e donin apo s’donin, do të duhej t’i riparonin këpucët e tyre.
“Por atëherë nuk kishte këtë mirëqënie që ishte njerëzit nga një palë kishin, donin nuk donin do ti riparonin kishte shumë punë. edhe 10 palë në ditë, një këpucë e mirë ia vlen të riparohet. Këpucët vishen sipas stinës. Plus ka dhe hallexhinj”-tregon ai.
Por sipas këpucarit, fitimi është shumë i pakët… sa për të nxjerrë bukën e gojës.
“Mund të fitojnë një 50 lekësh, nxjerr bukën e gojës”
Të rinjtë sipas tij, nuk shfaqin asnjë interes për zanatet, aq më tepër atë të këpucarit.
“Deri më tani nuk ka interes fare nga të rinjtë, sepse nuk e vlerësojnë. Është një zanat që nuk të lë pa bukë, por të rinjtë ngelën me telefona e në kafe, nuk interesohen për zanatet. Më përpara, në vitet ‘90 vinin nxënës edhe nga fshatrat, rrinin nga dy tre muaj e më pas shkëputeshin. Tanimë s’ka fare kërkesë.” -tha Ilirjani.