Të takosh nënën pas 7 vitesh… e moshuara humb ndjenjat nga gëzimi! Rrëfimi i emigrantit nga Burreli

Si shumë emigrantë shqiptarë edhe Ismaili mori rrugën e mërgimit për një jetë më të mirë për veten dhe fëmijët. Me origjinë nga Burreli, ai u nis në vitin 2006 drejt Britanisë dhe pas shumë sakrificave e vështirësive, mundi të integrohet atje.

Në një rrëfim për abcnews, ai tregoi se më në fund pas 7 vitesh pritje, mundi të takojë nënën. Ismaili dhe e bija Ilda, treguan se nuk i kishin treguar nënës për ardhjen e të birit. Gruaja në moshë e zbuloi kur e pa të birin në derën e shtëpisë… e prej gëzimit, nëna i humbi ndjenjat.

“Takim i vështirë, pas 7 vitesh u takova me nënën… atë ditë i ranë të fikët, se ajo është dhe me diabet. Ishte shumë e vështirë kur u takuam pas aq shumë vitesh.”-rrëfeu Ismaili.

“Unë e im vëlla kemi shkuar më parë për ta takuar gjyshen, por jo babai. Ia bëmë surprizë sepse nuk i treguam që kishte ardhur dhe babai.  Nëna kishte shkuar tek disa familjarë dhe kur erdhi në shtëpi, pa babin kur hapi derën.”-tregoi Ilda, vajza e Ismailit.

“Siç dihet, si shumë emigrantë edhe unë isha pa dokumenta e nuk kisha mundësi të vija. Nëna jeton në Itali. Nuk i kam treguar, sepse doja t’ja bëja surprizë nënës. Vajza preu biletat dhe ikëm direkt tek ajo. Nëna humbi ndjenjat në krahët e mi. E ula në krevat dhe pas afro 1 ore, e mori veten. Ne qëndruam për 4 ditë me nënën dhe pastaj u ktheva. Djalin e vajzën i kam me studime në Britani. Nënës nuk i mjaftuan (qesh) edhe sikur të rrija tërë vitin aty, por fëmijët kanë shkollë…

Unë me origjinë jam nga Burreli. Në maj të 2016 jam larguar në emigracion. E vështirë ka qenë, por tani jemi mirë, punojmë, paguajmë taksat, kontribuojmë për atë vend.”-tha më tej Ismaili.