“Juice”, sonda që do të udhëtojë mbi 600 milionë kilometra drejt hënave të Jupiterit

Brenda ditëve të vijim, një sondë me vlerë prej 1.4 miliardë paundësh do të niset drejt hapësirës për të kryer një mision që do të zgjasë 8 vite… misioni është gjetja e shenjave të jetës aliene në një prej botëve të tjera të sistemit tonë diellor. Fjala është për misionin ‘Juice’ (Jupiter Icy Moons Explorer), i cili do të ketë për detyrë të hetojë për mundësinë e gjetjes së jetës në hënat e Jupiterit, planetit më të madh në sistemin tonë diellor.

“ Do të shikojmë nëse ka vende përreth Jupiterit, nga prej ku mund të ketë nisur jeta. Duhet të gjejmë një vend që ka ujë dhe energji të brendshme”-tha Olivier Witasse, shkencëtari që drejton misionin.

“Në hënat e akullta të Jupiterit, mendojmë se ka arsye të mjaftueshme për të besuar se atje, ka më shumë ujë sesa në të gjithë Tokën”-shton më tutje shkencëtari.

Prej kohësh tashmë, studiuesit kanë zbuluar se hënat e Jupiterit si Ganimedi, Kalisto dhe Europa, janë të mbushura me ujë të lëngshëm poshtë shtresës masive të tyre të akullit. Uji është parë përherë nga shkencëtarët, si një kusht i nevojshëm për jetën.

Krahasimi mes Hënës sonë dhe hënave të Jupiterit

“Nëse do të kishte një vend të dytë më të mirë për të gjetur jetë, do të ishte pikërisht këtu”-tha një astronom amerikan. Por të shkosh deri tek këto trupa qiellorë, është krejt një çështje tjetër. Sonda ‘Juice’ pritet të lëshohet nga Agjencia Evropiane e Hapësirës (ESA) të mërkurën e ardhshme. Sondës do t’i duhen 8 vite që të mbërrijë deri tek gjigandi i gaztë (Jupiteri).

‘Juice’ do të mbërrijë në korrik të vitit 2031, dhe do të fokusohet në hënën Europa dhe Ganimed. Sonda do të kryejë rreth 50 orbitime të afërta me hënën, disa qindra km mbi sipërfaqe, për të studiuar zonat që mund të kenë jetë.

“Oqeani i Evropës ka të ngjarë të jetë në kontakt me një shtrat të detit shkëmbor,” tha Marshall Styczinski, një shkencëtar i Europa Clipper.

“Kjo do të thotë se ne presim reaksione kimike që do të krijonin zona hidrotermale, si në oqeanet e Tokës. Shpërthimet hidrotermale mbështesin ekosistemet e lulëzuara në Tokë, kështu që ata mund të bëjnë të njëjtën gjë në Evropë.”-tha mandej shkencëtari.

Foto: ESA/CNES/Arianespace/PA

Fokusi i sondës do të jetë hëna e quajtur Ganimed, një trup qiellor që është më i madh se planeti Mërkurit dhe hëna e vetme e sistemit diellor që ka një fushë magnetike. Pas disa orbitimeve në hënën Europa e Kalisto, sonda ‘Juice’ do të hyjë në orbitë permanente me Ganimedin, në vitin 2034.

Pas viteve punë, shkencëtarët do të duhet të presin edhe disa vite të tjera, në atë që besohet se do të sjellë njohuri të reja e të rëndësishme.

Artikulli u botua në “The Guardian”/ Përshtati: FCH.al