I mori jetën dy motrave në Tiranë, gjykata e apelit lë në burg përjetë Përparim Ademin

Gjykata e Apelit në Tiranë ka dhënë verdiktin për Përparim Ademin, 59 vjeçarin që më 31 dhjetor 2020 i mori jetën me breshëri automatiku dy motrave, Zhaneta Metani e Kristina Bardhi.  Apeli nuk e ka pranuar argumentin e mbrojtjes se Ademi vuan nga probleme të shëndetit mendor, një kërkesë që u vu përpara trupës për t’i lehtësuar dënimin autorit të vrasjes së dyfishtë.

Kësisoj apeli ka lënë në fuqi vendimin për dënim të përjetshëm të autorit. Nga ekspertimi mjeko-ligjor, Ademi rezulton të mos vuajë nga asnjë problem mendor.

Ngjarja

Përparim Ademi u nis me biçikletë drejt Astirit, ndërsa në çantë mbante me vete një kallashnikov. Në hyrje të pallatit, ai ka lënë biçikletën. Ai është përballur me dy motrat sapo ka mbërritur para derës së apartamentit të tyre. Në këtë moment ai ka shkrepur armën dhe pasi ka hyrë në brendësi, ka vijuar të qëllojë drejt dy grave. Këto të fundit kanë humbur jetën në vend.

Pak minuta më vonë, ai është larguar nga e njëjta rrugë, por kësaj here pa biçikletën e tij (goma e parë i ishte shfryrë).

Njoftimi i plotë i gjykatës

Referuar raportimeve të mëparshme në media, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, informon sa më poshtë:

Në  Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Tiranë, është zhvilluar gjykimi lidhur me çështjen penale që i përket të pandehurit me iniciale P.A, i akuzuar për kryerjen e veprave penale të  “Vrasje  për shkak të marrëdhënieve familjare” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuar nga nenet 79/c dhe 278/1 të  Kodit Penal.

Fakti objekt akuze lidhet me ngjarjen e datës 31.12.2020, ku në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, është marrë njoftimi se në Rrugën “Azem Meshi”, Unaza e Re “Astir”, Pallati “Ina 2004”, janë qëlluar me armë zjarri shtetaset me iniciale Zh.M dhe K.B (M) (motra ndërmjet tyre), për pasojë kanë gjetur vdekjen . Lidhur me ngjarjen e mësipërme është akuzuar i pandehuri me iniciale P.A.

Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë me vendimin nr. 2028, datë 20.09.2022 ka vendosur:

1.      Deklarimin fajtor te te pandehurit P.A per kryerjen e vepres penale te “Vrasja per shkak te marredhenieve familjare”, ne dem te viktimave Zh.M dhe K.B dhe ne baze te ketij neni 79/c i Kodit Penal denimin e tij me burgim te perjetsheëm.

2.      Deklarimin fajtor te te pandehurit P.A per kryerjen e vepres penale te “Mbajtja pa leje dhe prodhimi I armeve, armeve shperthyese dhe I municionit” , parashikuar nga neni 278/1 I Kodit Penal dhe ne baze te ketij neni denimin e tij me 5 vjet burgim.

3.      Ne aplikim te nenit 55 te K.Penal ne caktimin e nje denimi te vetem per disa vepra penale denimin e te pandehurit P.A me nje denim te vetem me burgim te perjetshem.

Çështja në apel u shqyrtua mbi bazën e ankimit të bërë nga i pandehuri me iniciale P.A, i cili këkoi:

–           Prishjen e vendimit të gjykatës së shkallës së parë dhe kthimin e çështjes për rigjykim.

–          Në alternativë çeljen pjesërisht të shqyrtimit gjyqësor dhe caktimin e një grupi ekspertësh (në Gjykatën e Apelit), për të përcaktuar gjendjen mendore të të pandehurit dhe caktimin e masës mjekësore shtrim në spital psikiatrik.

Në përfundim të gjykimit, më datë 11.04.2023, Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm, e përbërë nga trupi gjykues me Relatore Gjyqtare znj. Valdete Hoxha dhe anëtare znj. Vojsava Osmanj dhe znj. Lutfije Celami, vendosi:

– Lënien në fuqi të vendimit nr. 2028, datë 20.09.2022, të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë