Prej disa ditësh tashmë… dhoma dhe korridoret ku ka kaluar kjo nënë, janë mbushur me dhimbje, me lot. Sonila përballet sot me makthin më të tmerrshëm që mund të përballojë zemra e një prindi… vajza e vogël, Stefania, është e prekur nga leuçemia akute. Sëmundja e 13 vjeçares është tepër agresive dhe koha për kurimin e saj nuk pret. E teksa minutat e orët ecin, zemra e kësaj nëne dobësohet edhe më tutje, kur sheh sesi nga e bija ikin fuqitë, zbehet shëndeti.
Në një rrëfim për “Shqiptarët për Shqiptarët”, fjalët e saj shkojnë drejt e në zemër, ndërsa lotët që ajo derdh, janë dëshmia më e fortë e asaj që ajo po provon. Nuk i ka mundësitë financiare ta kurojë të bijën jashtë shtetit dhe për këtë, përgjërohet për ndihmën e shqiptarëve.
“Vajza e voglël Stefania u diagnostifikua me një sëmunjde shumë agresive dhe shumë të rëndë, leuçemi akute. Gjendja e saj është kritike, i rrezikohet jeta çdo moment, çdo sekondë. Kemi biseduar me një spital, në Bambino Gesu, por kura është shumë e lartë, 160 mijë euro…nëse qëndrojmë këtu, është fatale për të gjithë atë sakrificë që mund të bëjmë deri në atë moment, rezulton e hedhur poshtë… (qan) As nuk dua ta mendoj se është shumë e dhimbshme për një nënë.
Ju lutem, të shpëtojmë Stefanian nga kjo sëmundje. Ju lutem na ndihmoni, ju lutem të gjithëve, me shpirtin e një nëne.”-tha nëna e 13 vjeçares.