Të jetosh për 500 ditë e vetme në një shpellë… rekordi i gruas spanjolle

Një atlete e sporteve ekstreme ka dalë së fundmi nga një shpellë në Granada, pasi qëndroi aty për 500 ditë pa asnjë kontakt njerëzor.

Kur Beatriz Flamini hyri në shpellë, Rusia nuk kishte pushtuar Ukrainën, ndërsa bota përballej ende me pandeminë e Covid-19.

Gjithçka u bë si pjesë e një eksperimenti, i ndjekur nga afër nga një grup shkencëtarësh.

“Kam mbetur ende në nëntor të 2021-it, nuk e di çfarë ka ndodhur nëpër botë”-tha gruaja, e cila yri në shpellë në moshën 48 vjeçe dhe doli prej aty në moshën 50 vjeçare.

Flamini qëndroi në një shpellë me thëllësi 70 metër nëntokë, atje ku kohën e kaloi duke bërë ushtrime fizike, duke pikturuar, thurur kapele leshi si dhe duke lexuar. Sipas ekipit që ndiqte gjendjen e saj shëndetësore, gruaja konsumoi 1 mijë litra ujë gjatë 500 ditëve.

I gjithë qëndrimi i gruas në shpellë u monitorua nga një grup me studiues, shkencëtare e psikologë. Asnjë prej tyre nuk kishte kontakt të drejtpërdrejtë me gruan, e cila qëndroi e vetme.

Pas 500 ditësh vetmi, gruaja doli nga shpella e ndihmuar edhe nga ekipi që e ndoqi.

“Kam qëndruar në heshtje për një vit e gjysëm, nuk i kam folur askujt përveçse vetes”-tha 50 vjeçarja.

Në momentin kur del nga shpella, Flamini humb ekuilibrin, si pasojë e qëndrimit për shumë kohë në errësirën e shpellës.

“E humb balancën, ndaj po më mbajnë. Kishte një moment kur nisa të mos i numëroj më ditët. Kur erdhi dita e 160, nisa të mos numëroj më.”-tregoi gruaja.

Flamini shpjegoi po ashtu se si pasojë e mungesës së zërave dhe zhurmave me të cilat jemi mësuar, vjen një moment që truri i krijon vetë këto zhurma.