I mori jetën nënës në mënyrë mizore, gjykata lë në burg të riun nga Peja

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga krimi i rëndë i ndodhur dje në Pejë, atje ku një i ri në të 30-tat dyshohet se i mori jetën nënës duke i prerë kokën.

I dyshuari Urim Hyseni, jetonte prej disa kohësh në Gjermani dhe në Kosovë ishte kthyer prej pak ditësh për të vizituar familjarët. E duket se motivi i përplasjes e mandej krimit makabër, ka qenë fakti se i riu fajësonte të ëmën për ndarjen nga bashkëshortja. Madje media në Kosovë, shkroi se i riu nuk u mjaftua vetëm me aktin ekstrem të dekapitimit, por edhe i ka pirë gjakun nënës.

Prokuroria bëri të ditur se të gjitha provat janë mbledhur, ndërsa pritet kryerja e autopsisë mbi trupin e të ndjerës. Sot (e shtunë, 15 prill) gjykata pranoi kërkesën për të lënë në arrest me burg 30 ditor të riun, derisa i gjithë hetimi të përfundojë e të nisë gjykimi.

 “Të pandehurit iu caktua masa e paraburgimit në kohëzgjatje prej tridhjetë (30) ditësh, pasi që gjykata konstatoi se kërkesa e prokurorit është e bazuar dhe në masën e duhur e arsyetuar, duke pas parasysh se i pandehuri është duke u hetuar për vepër të rëndë penale për të cilën Kodi Penal ka paraparë dënim me burgim jo më pak se dhjetë (10) vjet burgim ose me burgim të përjetshëm dhe se i pandehuri posedon leje qëndrimi jashtë shtetit, rrethana këto të cilat gjykata ka vlerësuar se tregojnë rrezikun e lartë se me gjetjen e të njëjtit në liri apo nën çfarëdo mase tjetër alternative, do të arratiset apo në çfarëdo mënyre do t’i shmanget organeve të ndjekjes dhe në këtë mënyrë do të pamundësojë apo vështirësojë në masë të madhe zhvillimin e hetimeve”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Po ashtu është urdhëruar dhe një vlerësim psikik për të riun, duke patur parasysh elementët makabër të krimit. Një veprim të tillë e ka kërkuar dhe avokati mbrojtës i të akuzuarit.