Një lajm i gëzueshëm, Stefania e prekur nga leuçemia mbërrin në spitalin në Romë

Jo të paktë ishin shqiptarët që në këtë muaj të madhëruar të Ramazanit, dhuruan diçka nga vetja për këtë vajzë të vogël, të prekur nga leuçemia akute.

Stefania 13 vjeçare tashmë ka mbërritur në spitalin ‘Bambino Gesu’ në Romë, atje ku e pret rrugëtimi drejt shërimit.

“Çfarë lajm i mirë… Në kohë rekord vajza 13 vjecare me leucemi arriti në Itali dhe tani është në kujdesin e mjekëve më të mirë. Në këtë Muaj të bekuar, Zoti ju shpërbleftë që bëheni shkak të shpëtohet një jetë! Zot shëroje lutuni dhe ju motra e vëllezer në këtë Muaj të Mëshirës”-shkroi Elvis Naçi.

Stefania Stambolli u diagnostifikua pak më shumë se një javë më parë me sëmundjen e rëndë dhe gjendja e saj shëndetësore veçse përkeqësohej. Familja iu drejtua për ndihmë emisionit “Shqiptarët për Shqiptarët” dhe brenda javës, shqiptarët bamirës iu bashkuan misionit për të mbledhur plot 160 mijë euro për dërgimin dhe kurimin jashtë shtetit të vogëlushes.

Nuk na mbetet veçse të lutemi që 13 vjeçarja të rikthehet shëndoshë e mirë në atdhe.