Një javë u mbajt peng nga bashkëjetuesi në Tiranë, 28 vjeçarja rrëfen për ditët e tmerrit

 “Gleardin e njoha në spital në Gjermani ku punoja si infermiere. Duke qenë se nuk dinte gjuhën më caktuan mua të kujdesesha për të. Kështu nisi njohja jonë.”

Kështu rrëfen 28 vjeçarja e cila kaloi një javë të plotë mes dhunës fizike e psikologjike, teksa bashkëjetuesi e mbajti peng në shtëpi dhe e rrahu barbarisht. Vajza tregon se ajo kishte krijuar jetën e saj në Gjermani, pasi familja ishte larguar prej vitesh atje… për hir të 31 vjeçarit, vajza ishte rikthyer në Tiranë për të qëndruar me të. Ajo rrëfen se në Tiranë, bashkëjetuesi nisi të bëhej posesiv dhe t’i kërkonte 28 vjeçares të mos dilte nga shtëpia.

28 vjeçarja tregoi më tutje se ai e ka qëlluar me grushta, skelma e madje edhe me shkop me gozhdë. Mandej ajo shtoi se bashkëjetuesi e ka detyruar të konsumojë lëndë narkotike (kokainë).

“Më gjuante me shkelma, me grushta në koka në fytyrë në trup, më gjuante me një shkop me gozhda. Nxirrte thikën ma mbante te trupi, te këmba. Më thoshte që unë do ta çaj barkun.

I lutesha, i thoja të lutem me hap derën, nuk më do, nuk më do, të lutem më hap derën që të dal nga këtu.

Ai donte me u hakmarrë, ky ka qenë plan i i tij. Sepse ne kemi qenë 3 muaj të ndarë dhe në Gjermani ka filluar kjo dhunë.

Prindërit e mi e kanë marrë vesh këtë dhe kanë nxjerrë nga shtëpia në Gjermani. Në kishim gati një vit e gjysëm që njiheshim me njëri-tjetrin.

Në Gjermani më ka dhunuar, por unë nuk e kam denoncuar, as familja ime. Ky tani prej xhelozisë, se kemi qenë 3 muaj të ndarë donte me u hakmarrë. Më merrte telefonin, nuk më hapte derën. Nuk kontaktoja dot asnjë njeri.

Ai vet më ka thënë mua që nuk e konsumon më kokainën, ndërkohë kur erdha unë ai e konsumonte në syrin tim dhe më thoshte dhe mua pije, unë i thoja disa herë, nuk e pi, nuk e pi dhe jam gjendur dhe unë në siklet se thoja do më vrasi dhe isha e detyruar ta konsumoja. Këta 5 ditët e fundit e kam konsumuar edhe unë, herët e tjera kurrë skam pasur lidhje me drogën” tha 28 vjeçarja para medias.