Një histori inspiruese, shpërndarësi i picave i shpëton jetën 3 vjeçares nga i ftohti i acartë

Në një mbrëmje të ftohtë, teksa e ëma po flinte gjumë, një vajzë e vogël kishte mundur të dilte nga krevati i saj e mandej në rrugët e qytetit. Veshur veçse me një bluzë, një palë çorape dhe pampers, vajza kishte arritur të dilte nga shtëpia e saj (private, një katëshe) në mes të rrugës.

Në po të njëjtën orë thuajse, rreth 3 e mëngjesit, e në po të njëjtin vend, kaloi rastësisht një shpërndarës picash, i quajtur Gabe Botello. Burri punonte turni i tretë dhe po dorëzonte një porosi. Rrugës me makinë drejt vendit ku do të dorëzonte picat, Botello arriti të pikasë për një moment të shkurtër vogëlushen. Dorëzoi picat dhe menjëherë nisi të kontrollojë, për t’u siguruar nëse me të vërtetë kishte parë mirë një fëmijë, apo ishte thjesht ndonjë ‘’reng i errësirës” së natës.

Vetë baba i 7 fëmijëve, Botello nisi të kërkojë në një parking aty pranë dhe pas pak, shikon vajzën, disa metra më tutje. Fëmija ishte mbledhur grusht, në ‘zgavrën’ e një ndërtese. Dukshëm ishte e frikësuar dhe kishte ftohtë… jashtë temperaturat kishin zbritur dhe binte dëborë.

Botello shkoi menjëherë tek vogëlushja, hoqi bluzën e tij dhe e mbuloi. Mandej njoftoi autoritetet mbi rastin.

“Kisha ujë në makinë dhe i dhashë vajzës. Ajo piu pak ujë, ndërsa unë u mundova t’i fërkoja kurrizin dhe gjymtyrët, që ta ngrohja disi. I thashë që të mos mërzitej, se ishte e sigurt tanimë… e pas pak, vajzën e zuri gjumi”-tha Botello në një intervistë për Fox 17.

Policia erdhi në vendin e ngjarjes dhe më tutje njoftoi prindërit. E tmerruar nga ajo që mësoi, nëna e vajzës tha se nuk e ka dëgjuar të bijën të çohet nga krevati i saj. Siç konkludoi policia, gjithçka kishte ndodhur ishte aksidentale, ndërsa ende mbetet e paqartë sesi vogëlushja ka arritur të dalë nga shtëpia.

Vetë shpërndarësi i picave, tha për median amerikane se nuk i fajëson aspak prindërit e kurrsesi nënën e vogëlushes. Ai tha se, me bërjen publik të rastit, shpreson që askush të mos i fajësojë prindërit.

“Gjithkush mund ta kishte marrë atë vajzë. Në këtë zonë ka mjaft probleme me trafikun e unë jam thjesht shumë i lumtur që ajo vajzë mundi të shkojë të shtëpi. Jam i lumtur që ajo është mirë me shëndet.”-tha babai i 7 fëmijëve.

https://www.youtube.com/watch?v=Vsbrfnh-vec&ab_channel=FOX17WXMI