Nga lotët tek varri i babait, tek gëzimi më i madh në jetën e tyre… rrugëtimi i 4 fëmijëve jetimë

E si mund të jetosh pa energji elektrike… si mund të jetosh, kur në shtëpi nuk ka asnjëherë ujë?

Përgjigja është e skalitur në lotët e këtyre fëmijëve, të cilët jetojnë në një fshat të largët të qarkut të Kukësit. Familja Kastrati është një shembull i mirfilltë i skamjes që dikur aq bukur portretizonte Migjeni… një skamje që mbase sot mund ta gjesh në vendet e varfra të Afrikës.

Për të parë nga afër hallet e një nëne që rrit e vetme 4 jetimë, Sidriti e Meri Bejleri u nisën drejt fshatit Pus i thatë, atje ku jeton familja Kastrati. Për të mbërritur atje, me makinë, iu deshën mbi 1 orë Sidritit e Merit… e këtë rrugë, fëmijët e bëjnë në këmbë për të shkuar në shkollë.

Pas rrugëtimit të gjatë, Sidriti pikas Hamidenë, nënën e 4 jetimëve. I shoqi i humbi jetën në një aksident në mal, një lis i ra mbi trup teksa ai po mblidhte dru për të mbajtur ngrohtë fëmijët në dimër.

Së bashku të gjithë mbërrijnë më në fund në fshatin ku kanë mbetur veçse pak frymë… e në mesin e tyre, frymët e pafajshme të këtyre fëmijëve.

Hamideja i tregon Sidritit e Merit se jeta në këtë zonë është thuajse e pamundur. Nuk ka ujë, nuk ka drita… nuk ka asgjë.

Hamideja: Këtu nuk ka jetë me lyp… çohesh në sabah e nuk ka një pikë ujë me la sytë. Këtu të tana mungojnë.

Sidriti: Nuk e di çfarë të them… atje në Tiranë, 10 minuta të ikin dritat, e ne bëhemi keq.

Hamideja: Këtu nuk ka asgjë. Xhamia na ka ndihmuar, por këtu nuk ka gjë. Nuk ka mundësi me mbajt korrent, sepse rrjeti se mban dot. U thashë të më sillnin dru. Fëmija kur bie dëborë, nuk shkojnë dot në shkollë.

E teksa diskutohet, një nga vajzat, Sonela, i tregon Sidritit se shpesh herë nuk kanë as ushqim për të ngrënë. E gjithë familja jeton me një asistencë prej 70 mijë lekësh të vjetra.

Hamideja: Tërë ditën bën dru ai djalë… i them, të lutem mos shko në mal, më prit mua të shkojmë bashkë të lutem… më thotë veç njëherë të shkoj fill.

Sonela: Ne këtu nuk kemi ku të flemë. Mami fle në tokë, e ne nëpër divanë. Mërzitemi, këtu krejt i bëjmë të gjitha. As bukë nuk kemi për të ngrënë në plot raste…

Sidriti: Ka raste që edhe je pa bukë…?

E këtu, fjalët e ngushëllimit janë të tepërta. Meri Bejleri s’mund t’i mbajë dot më lotët….

Sonela: Po ka, ka raste kur ne vijmë nga shkolla dhe nuk ka asgjë. Veç darkë hamë, hiçsend tjetër.

E pas këtyre detajeve tepër të dhimbshme, Sidriti njofton familjen se do të duhet të lëvizin, pasi një surprizë e bukur i pret. Hamideja e fëmijët bëhen gati për t’u larguar drejt Kukësit… por përpara se të largohen, Sonela vogël, i thotë Sidritit se ka dëshirë të vizitojë babain… të shkojë tek varri i tij.

Sonela: Du me shku tek babi…

Sidriti: Si shpirt…?

Sonela: Tek varri babait dua të shkoj pak…

Një skenë që të thyen shpirtin… Sonela afrohet tek varri i babait, puth imazhin e tij… dhe thotë këto fjalë

Sonela: Kurrë s’kam me të harru o bab… kur të rritem dua të bëhem si ty, i fortë, njeri që lufton…

Sidiriti: Kujtimet janë ato që na mbajnë lidhur me ata që kanë ikur… të gjithë udhëtarë jemi, e me rëndësi është që sa jetojmë, të bëjmë mirë. Ne kemi ardhur këtu për t’ua zbukuruar ditën, të mos e humbim më kohën se po na pret xhaxhi Visi me teta Fatmën

Meri: Babi do ju vijë pas juve, sepse ai ju sheh o zemër. Ne, në njëfarë mënyre, po ia çojmë amanetin në vend.

E pas këtyre momenteve që të prekin thellë në shpirt… tanimë ka ardhur momenti për t’u larguar nga errësira e varfërisë, një errësirë që prej kaq shumë kohësh kishte mbuluar fytyrat e zemrat e këtyre fëmijëve.

Të gjithë nisen drejt Kukësit, atje ku Elvisi e Fatma Naçi presin me padurim për t’u treguar fëmijëve surprizën që kanë rezervuar bamirësit shqiptarë.

Elvisi: Në një kohë rekord, është e pabesueshme, por ne jemi në shtëpinë që do ta gëzojnë jetimët. Ne erdhëm pak përpara tyre, sepse Sidriti dhe Meri kanë shkuar t’i marrin në shtëpinë e vjetër… shtëpi i thënçin, pasi ajo vështirë që mund të quhet e tillë. Është një donator në fakt që ka dhuruar, Zoti ia shpërbleftë…

Me të mbërritur para godinës ku do të jetojnë të lumtur, Sidriti u punon një ‘rreng’ fëmijëve, duke u thënë se duhet të ndalojë pak për të kërkuar ujë për makinën. Fëmijët afrohen me Sidritin tek dera e shtëpisë…për pak çaste këto fëmijë, mbase për herë të parë në shumë kohë… do të gëzohen.

Elvisi: Hajde mami Hamide, na pri në shtëpinë tënde të re

Meri Bejleri: Hamide kjo është shtëpia juaj tani…

Hamide: Zoti ju ruajtë, shumë faleminderit… mami, kjo është shtëpia jote.

Elvisi: Ju ta gëzoni Hamide, është dy dhoma e kuzhinë. Jemi munduar pak dhe ti e di që shtëpiat janë shtrenjtuar shumë edhe në Kukës. Në veçanti për fëmijët, sepse dihet ajo që i ka ndodhur (vdekja e babait)… inshallah mos paçin më keq. I ke fëmijët si ëngjëj. Për Zotin, ata që e kanë ndjekur emisionin, kanë thënë që inshallah na e bën Zoti të mundshëm, që të jemi pranë kësaj familje. Por e vërteta është se një donator ka dalë para, dhe na tha se donte t’i blinte një shtëpi një familje në nevojë. Ne thamë se kush mund të jetë një familje e tillë…. ne vendosëm në një zë, që ky donator të blinte shtëpi për ju dhe fëmijët tuaj të mrekullueshëm. Jam tani i sigurt se jeta juaj do të kthejë, ka shumë njerëz që janë shprehur të gatshëm për të qëndruar pranë jush. Ne do të mundohemi t’ju vendosim dhe një pension… mos harro se ka shumë njerëz që duan të bëjnë mirë e ne ia kemi mundësuar në emisionin tonë “Shqiptarët për Shqiptarët”.

Hamide: Zoti ju shpërbleftë, ju falenderoj pa masë…

Elvisi: E prisje këtë reagim…?

Hamideja: Jo të them të drejtën… për një javë? Jo, sepse sot është tepër e vështirë, e jo më të të dhurojnë një shtëpi…

Elvisi: Kur ne u informuan që atje ku ishit, jetonin vetëm 4 familje, nuk u menduam më gjatë… ju ta gëzoni këtë shtëpi e qofshi të lumtur gjithë jetën tuaj.

Hamideja: Unë ju them faleminderit e kurrë nuk ju harroj… kudo që të jeni, Zoti ju priftë mbarë… më kanë pushuar fjalët, kjo është dita më e lumtur e jetës sime. Më mirë nuk e kam menduar ndonjëherë, se çdo ditë punët vështirësoheshin, hallet shtoheshin. Shumë faleminderit, shumë shumë shumë.