Parlamenti Europian i jep ‘dritën jeshile’ vendimit për liberalizimin e vizave për Kosovën

Parlamenti Europian ka miratuar këtë të martë pa asnjë kundërshtim, vendimin për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës. Ky votim i jep përmbyllje procedurave vendimarrëse për këtë çështje, ndërsa akti i vetëm i mbetur është botimi i vendimit në gazetën zyrtare të unionit.

Zbatimi i vendimit nuk do të zgjasë më larg se 1 janari i vitit 2024, kohë e cila jepet për të vënë në punë sistemin ETIAS të udhëtimit në Europë.

Kësisoj, qytetarët e Kosovës, duke filluar nga janari i ardhshëm, do të mund të udhëtojnë në Europë pa nevojën e vizave.

Sipas një hulumtimi të bërë nga BRPG-ja, qytetarët e Kosovës kanë paguar mesatarisht 165 euro për aplikimin për vizë Schengen. Kjo kosto arrin shifra prej dhjetëra miliona eurosh, nëse marrim parasysh numrin e aplikimeve në vit.