Entuziastët e ‘dritave të veriut’ në Alaska u përballën me një surprizë kur në qiellin e ‘ngjyrosur’ nga aurora borealis, papritur u shfaq një spirale e çuditshme. Spiralja ngjante me pamjen e një galaksie në miniaturë, dhe qëndroi në qiell për disa minuta.
Shumë shpejt fotot e kësaj ngjarje misterioze pushtuan rrjetet sociale, ndërsa njerëzit filluan të spekulojnë mbi origjinën e spirales në qiell.
Associated Press i kushtoi një artikull rastit, duke marrë në pyetje disa ekspertë për të shpjeguar fenomenin që tërhoqi vëmendje në rrjet. Rezulton se spiralja në fakt ka ardhur si pasojë e lëshimit të hidrokarburit nga një raketë e ‘SpaceX’, lëshuar në Kaliforni 3 orë para se spiralja të shfaqej në Alaska.
Don Hampton, fizikant hapësinor dhe studiues i universitetit të Alaskës, shpjegoi për AP-në:
“Kur raketat janë në lartësi të konsiderueshme dhe lëshojnë karburant, hidrokarburi ngrin, përkthehet në akull. E nëse kjo ndodh gjatë ditës apo pranë një burimi drite, kur ne jemi në errësirë mund ta shohim si një re e madhe ose ndonjëherë si një re spirale”
Pamjet u kapën edhe nga një kamera e vendosur nga institui i gjeofizikës në Alaska e me t’u publikuar, krijuan mjaft debat e komente nëpër rrjetet sociale.
Alien invasion? No, it's science. Experts say the mystery spiral over Alaska skies on Saturday during the northern lights — captured in this time-lapse — was a vapor trail from a SpaceX rocket launch. https://t.co/6G6cf6oHaC pic.twitter.com/IQM39aHmNk
— The Associated Press (@AP) April 17, 2023
“Spiralja u vëzhgua gjatë një aurora borealis (burimi i dritës në këtë rast) teksa raketa kaloi mbi Alaska”-shpjegoi Todd Salat, një fotograf profesionist i cili po ashtu kapi imazhe mbresëlënëse të këtij fenomeni të pazakontë.
“Besomëni, kur e pash mbeta pa fjalë. E kuptoj se ishte diçka e shpjegueshme, por kur isha përballë kësaj eksperience mu duk sikur po shihja diçka të mistershme dhe të panjohur”-tha fotografi për AP-në.
Raketa në fjalë u ngrit për të hedhur në hapësirë rreth 25 satelitë… satelitë të cilët shpesh shumë qytetarë kanë mundur t’i shohin edhe nga qielli i Shqipërisë.