Shëngjin, 50 vjeçari vritet me armë zjarri pranë lokalit të tij

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur këtë të mërkurë në qytetin e Shëngjinit, atje ku një biznesmen 50 vjeçar është qëlluar për vdekje me armë zjarri. Ngjarja ka ndodhur në ambientet e lokalit të viktimës, i cili është ekzekutuar nga dy persona. Këta të fundit mandej janë larguar me motor.

“Rreth orës 13:30, në rrethana ende të paqarta, është vrarë me armë zjarri, në ambientet e lokalit të tij, shtetasi A. N. 50 vjeç, banues në Shëngjin. Shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Janë ngritur pika kontrolli dhe është rrethuar zona ku vijojnë kontrollet për kapjen e autorit/ve. Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentin e plotë të ngjarjes.”-njoftoi policia.

Fjala është për shtetasin Ardian Nikulaj, i cili rezulton të jetë kandidat për këshillin bashkiak në zgjedhje, si dhe ish kandidat për deputet në zgjedhjet e shkuara parlamentare.