Itali, media vendase sjell detaje mbi vdekjen e mistershme të 38 vjeçares shqiptare, e gjetur e vrarë në shtëpinë e saj

“Kishte lënë një takim tek qendra ime estetike, por nuk erdhi kurrë… i shkruajta që kisha anulluar një prenotim të mëparshëm dhe nëse do të donte mund të vinte më herët. Por ajo nuk iu përgjigj sms-së, as nuk e pa fare atë”

Kështu tregon për median italiane Marika Fama, një grua e cila drejton një qendër estetike në sheshin Castello në Scaldasole… por Anila Ruçi, 37 vjeçare me origjinë shqiptare, nuk shkoi në takimin e lënë sepse u gjet e pajetë në shtëpinë e saj. Gruaja u gjet dje e vrarë, ndërsa në trupin e saj kishte shenja të goditjes me thikë. Siç raportojnë mediat italiane, një goditje në fyt me thikë, mendohet t’i ketë marrë jetën.

“Anila kishte ardhur për të jetuar këtu afro 1 vit më parë, ndërsa i vëllai kishte ardhur në tetor të vitit të shkuar. Por ai nuk fliste italisht, e shihja vetëm kur dilte dhe kalonte pranë qendrës sime, e shkonte në kafenenë ngjitur… e pyesja veten nëse punonte, por nuk e dija”-thotë sërish për median italiane estetistja.

Por burri në fjalë që vetë Anila e prezantonte si vëllai i saj, në fakt nuk ishte i tillë, siç kanë mësuar pas krimit autoritetet dhe media italiane. I riu quhet Osman Bilyhu, 38 vjeçar. Rezulton se dhe ai ka patur shenja të lëndimit me thikë, një në krahë e tjetrin në bark.

Estetistja thotë se e ka barë burrin që e njihte si të vëllanë e Anilës, të vinte në barin aty pranë. Në pamundësi për të folur italisht, ai kishte kërkuar për ndonjë shqiptar.

“Meqenëse Anila nuk mu përgjigj për takimin, dola të marr në bar një kafe. Aty pashë të vëllanë që mesa kuptova kërkonte ndihmë. Pak më vonë erdhi ambulanca dhe policia.”-kujton estetisja. Kur gazetarët e pyetën nëse burri kishte shenja gjaku në bluzë, estetisja tha se nuk kishte parë shenja në bluzën e tij.

Deri më tani autoritetet ende nuk e kanë të qartë dinamikën e ngjarjes, që ndodhi pasditen e ditës së djeshme. Bashkëjetuesi i të ndjerës u shtrua në spital ndërkohë, teksa autoritetet kanë nisur hetimet për të hedhur dritë mbi ngjarjen dhe zbulimin e autorit.