Me një qiell pa re, afro 20 mijë persona ishin mbledhur në një pjesë të Australisë për të parë me sytë e tyre, sesi dita u bë natë, falë një eklipsi të rrallë diellor. Në qytetin e largët të Exmouth në Australi, fenomeni mund të shihej qartësisht, njëlloj si në disa vende të Indonezisë.
“Ishte fantastike. Fale eklipsit mund të shihje me sy koronën e diellit. Zgjati veçse një minutë, por na u duk sikur zgjati për më shumë se kaq. Ishte thjesht spektakolare. Mund të shihnim dhe planetë si Jupiteri e Mërkuri, që përgjatë ditës vështirë t’i shohësh”-tha astronomi Henry Throop, i cili kishte udhëtuar në Australi për të parë fenomenin e rrallë.




