Sot të gjithë muslimanët kremtojnë Fiter Bajramin. E në këtë ditë të shënuar, shqiptarët nuk duhet të harrojnë se komunikimi e debatet mes njëri- tjetrit, duhet të bëhen pa nevojën e ofendimeve, duke dialoguar në paqe e me mençuri…
Ky ishte mesazhi që përcolli Elvis Naçi, i ftuar nga besimtarët për të mbajtur ligjërimin e Bajramit në xhaminë e Tregtarëve në Prishtinë. I pyetur nga Atv, Naçi tha se e gjithë shqiptaria duhet ta gëzojë Fitër Bajramin, si një ditë që na sjell në vëmendje nevojën për të respektuar njëri- tjetrin.
“Ne jemi një tashmë. Ardhja në Kosovë, është njëlloj si të jesh në Shqipëri. E dyta, këshilli xhamisë dhe disa besimtarë shprehën dëshirën që në këtë Fiter Bajram të jemi këtu. Me shumë kënaqësi, sepse kohët e fundit Shqipëria e Kosova, por edhe trojet e tjera me shqiptarë, po duken edhe më afër. E rëndësishme është që Fitër Bajramin ta gëzojë e gjithë shqiptaria.
Mesazhi ishte që, le të lëmë dyert e hapura. Le të lejojmë që toleranca të mbizotërojë në jetët tona por mbi të gjitha në debatet tona. Ata që e duan kombin shqiptar, mbi të gjitha duhet të duan shqiptarin. E mirë do të ishte, që në të gjitha debatet tona, të mbizotërojë mençuria, dialogu, paqja dhe fjala e mirë. Shqiptari me shqiptarin, për çdo lloj arsyeje, mund të kenë këndëvështtrime të ndryshme, por duhet ta ndajnë atë këndvështrim me kulturë të lartë, sepse në fund fare, të gjithë jemi shqiptarë.”-tha Elvisi.