Tiranë, gjykata lë në burg të riun e përfshirë në vrasjen e 20 vjeçarit, avokati mbrojtës: Ai nuk ka lidhje me ngjarjen

18 vjeçari Ensi Maze është lënë në burg në lidhje me vrasjen tragjike të Stiven Toshkezit, një ngjarje që ndodhi në orët e para të mëngjesit së të martës në afërsi të gjimnazit ‘Partizani’ në Tiranë

Gjykata e Tiranës e ka konsideruar të drejtë masën e arrestit me burg për 18 vjeçarin, i cili akuzohet për ‘vrasje në bashkëpunim’. Autor kryesor i ngjarjes është Aksel Hoxha, i cili është ende në kërkim nga autoritetet për goditjen me thikë të 20 vjeçarit të ndjerë, Stiven Toshkezi.

Vetë Ensi Maze, ka deklaruar se nuk ka patur asnjë lidhje me konfliktin mes viktimës e Aksel Hoxhës, por është gjendur në mesin e ngjarjes që nisi sipas tij, si një konflikt verbal e mandej në krimin e rëndë.

Avokati mbrojtës i 18 vjeçarit, tha se Maze është student në Holandë dhe ka ardhur për disa ditë në Tiranë. Sipas avokatit, Enzi Maze ka tentuar të shuajë konfliktin dhe nuk ka qenë pjesë e krimit.

 “Në vlerësimin tonë ky shtetas nuk ka lidhje me ngjarjen e rëndë. Është student në Holandë dhe ka ardhur më 13 prill, me biletë kthimi më 19 prill. Duke qenë se këto ditë ka takuar edhe shokët e tij, një prej tyre Axel Hoxhaj, duke lëviz në trotuar ka ardhur një mjet ka ndaluar dhe ka ndodhur ngjarja. Ka parë që shoku i tij ka shkuar në drejtim të shoferit, dhe për të shuar konfliktin ka tentuar të ndalojë dhe mos të lërë pasagjerin të dalë.

Më pas ai i vërsulet, dhe nga pamjet që dalin shihet se nuk bën asnjë veprim të dhunshëm kundër pasagjerit, por ai e sulmonte atë. Ensi Maze nuk ka parë asnjë hanxhar, as Hoxha nuk e ka informuar për ndonjë konflikt të mundshëm.

Maze është shok i Hoxhës dhe ka pas njohje dhe me vajzën në fjalë, por nuk e ka informuar për konfliktet që ka pasur me persona të tjerë. Në pamjet e publikuara shihet se Manze nuk ka bërë asnjë dhunë ndaj pasagjerit, por e kundërta. Nëse nuk do kishte tentuar të bllokonte derën, do kishte agravuar më shumë.

Manze është vetëdorëzuar, në momentin që ka ndodh ngjarja ka komunikuar me të atin dhe ka thënë se jam tek stadiumi Arena dhe aty ka shkuar ta marrë policia. Vajza ka deklaruar se nuk ka pasur asnjë lidhje apo konflikt me Mazen”, deklaroi avokati.