“Punova 11 muaj e nuk u pagova” Kosovë, afro 100 mijë të rinj as në shkollë as në punë

“Unë e kam një zanat, jam shtrues i pllakave të qeramikës, por nuk ka punë me kushte të mira…në një kompani kam punuar 11 muaj dhe nuk jam paguar. Kështu që jam i dëshpëruar nga njerëzit. Punon, punon… kur të bëhet muaji, nuk ta japin rrogën”

Këto janë fjalët e një 23 vjeçari nga komuna e Malishevës, i cili ka rrëfyer për Radio Evropa e Lirë, problemet socio-ekonomike me të cilat përballet. Xh.M thotë se ka përfunduar vetëm shkollimin fillor. Ai nuk i tregoi REL-it se përse nuk e vijoi më tutje shkollimin, por shtoi se aktualisht, për shpenzimet ditore e ndihmon e ëma, e cila merr një pension mujor prej afro 200 eurosh.

“Çfarë të bëj? Rri në shtëpi… Vështirë është pa punë, sidomos tani kur çmimet janë rritur”, përfundon 23 vjeçari.

E nëse i referohesh statistikave, si ky 23 vjeçar, në Kosovë ka afro 100 mijë të rinj të moshave 15 deri në 24 vjeç, që nuk po ndjekin as shkollën apo punësimin.

Kosova ka një popullsi të re. Me moshën mesatare 35 vjeç, sipas sociologut Artan Krasniqi, këto shifra janë me të vërtetë shqetësuese.

“Edhe shteti, edhe shoqëria janë mjaftuar me faktin që Kosova e ka potencialin më të madh rininë dhe sikur është menduar që ky potencial vetëkanalizohet… Ka pasur fare pak politika dhe programe që e ndihmojnë këtë potencial të arrijë në nivele më të larta. Së pari mbesin barrë e shoqërisë, familjes dhe më vonë e shtetit. Po ashtu, nuk përjashtohet mundësia që këta të rinj ta kërkojnë rrugën e migrimit”, thotë Krasniqi për REL.

Profesori i shkencave sociale në Universitetin e Prishtinës, Behxhet Gaxhiqi, rrëfen se të tilla shifra alarmuese, pasi pjesa më vitale e shoqërisë po mbetet në një gjendje vendnumëro.

“Kjo moshë e popullsisë është pjesa më vitale e shoqërisë dhe nuk duhet lejuar të mbetet në këtë gjendje. E ardhmja e këtyre të rinjve mund të jetë e paperspektivë dhe si të tillë mund të përfundojnë në skemat sociale të Qeverisë me mjete minimale për jetesë”, thotë Gaxhiqi për Radion Evropa e Lirë.

“Arsyeja që Kosova ka këtë numër të të rinjve që nuk janë as në shkollim, as në trajnim dhe as të punësuar, qëndron tek edukimi dhe trajnimet që ofrohen. Ato nuk janë cilësore dhe në harmoni me tregun e punës”, thotë eksperti i çështjeve ekonomike, Ismet Mulaj, njëherësh ish-ministër i Tregtisë dhe Industrisë.

Mulaj shton se tregu i punës në vend ka nevojë për të gjitha profesionet, përfshi dhe kuzhinierët, kamarierët, punëtorët në sektorin e prodhimit, etj.

“Këto trajnime profesionale duhet t’iu ofrohen këtyre të rinjve, në mënyrë që ata ta gjejnë veten në Kosovë. Të rinjtë tanë janë të dekurajuar për të kërkuar punë, për t’u punësuar apo për të ndjekur ndonjë trajnim”, thotë Mulaj.

Burimi: REL/ Përshtati me disa shkurtime: FCH.al