“Ky libër e solli familjen time në Islam” Historia e madhe e Kur’anit të ‘vogël’ të Shqipërisë

 “Rituali është gjithmonë i njëjtë. Mario Prushi lan me kujdes duart dhe fytyrën përpara se të puthë dhe të vendosë në ballë një prej Kuraneve më të vegjël në botë. Për breza të tërë, libri me madhësinë e pullës postare është trashëguar në familjen e tij dhe i ka mbijetuar luftërave dhe një nga “regjimet më pa fe” në botë.”

Foto: AFP/Adnan Beci

Kështu shkruan Agjencia franceze e lajmeve (AFP) e cila i ka kushtuar një artikull historisë interesante të një botimi në miniaturë të Kur’anit famëlartë. Libri është botim i shekullit të XIX (fundi viteve 1800) dhe ruhet brez pas brezi nga familja Prushi.

Mario 45 vjeçar, tregon se “Ne e kemi ruajtur brez pas brezi me shumë përkushtim” librin, i cili ka përmasa prej dy centimetrash gjerësi dhe 1 cm trashësi. Libri mund të lexohet vetëm me lente zmadhuese dhe ka 900 faqe.


Foto: AFP/Adnan Beci

Por veç aspektit të veçantë të përmasave të librit, ky Kur’an është përgjegjësh për konvertimin e familjes Prushi nga katolicizmi në islam.

 “Stërgjyshërit e mi po gërmonin tokën për një shtëpi të re në rajonin e Gjakovës të Kosovës kur gjetën trupin e një njeriu të varrosur atje….Kurani u gjet i paprekur mbi zemrën e tij.”-tha Prushi për AFP-në.


Foto: AFP/Adnan Beci

Familja e mori këtë zbulim si një shenjë hyjnore, përqafoi islamin. Madje gjyshi i tij, siç tregon 45 vjeçari, në vitet ’30 dinte arabisht dhe thërriste miqtë e tij çdo natë për të lexuar Kur’an.

Në vitet e komunizmit babai i Marios e dërgoi në Kosovë përmes një kamioni me qymyr librin, fill pas një rasti ku autoritetet ishin njoftuar se familja mbante në shtëpi librin e shenjtë. Skënderi (babai i 45 vjeçarit) mundi ta rimarrë Kur’anin pas luftës në Kosovë, në vitin ’99.

“Ky libër i vogël mbart shumë histori, bekime dhe mrekulli. Është shumë i dashur për mua”, tha Prushi.