Policia greke prangos shqiptarin, mori një 8 vjeçar në Tiranë dhe e detyroi të lypte në rrugët e Athinës

“Detajet e rastit të “blerjes” së një 8 vjeçari i cili ishte detyruar të lypte në rrugët e Athinës nga një 56 vjeçar, janë të pabesueshme”

Kështu shkruan “Protothema” në lidhje me arrestimin e një 56 vjeçari shqiptar, i shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Shqipëria nën akuzën e trafikimit të minorenëve. Autoritetet greke e kanë arrestuar tashmë personin në fjalë, i cili do të niset drejt Shqipërisë, për të vuajtur një dënim prej 15 vitesh (akuza- trafik i minorenëve).

Autoritetet greke u informuan për prezencën e 56 vjeçarit në Athinë. Policia u mobilizua dhe mundi ta arrestojnë shqiptarin në Patisia.

“Protothema” shkruan se 56 vjeçari e kishte “blerë” fëmijën 8 vjeçar në Tiranë, për një shumë prej 1 milionë lekësh të vjetra. Mandej ai e ka transportuar ilegalisht fëmijën e mitur në Athinë, atje ku e ka detyruar të lypë në disa prej rrugëve kryesore të kryeqytetit të shtetit fqinj.

“Protothema” thekson se procedurat për ekstradimin e 56 vjeçarit kanë nisur, por nga ana tjetër, mbetet ende e paqartë se çfarë do të ndodhë me fëmijën.