Rast i pabesueshëm, i moshuari rinovon patentën në moshën 99 vjeçare

Pak para se të mbushë 100 vjeç, i moshuari në foton e mësipërme ka rinovuar patentën e tij. Media italiane i ka kushtuar artikuj historisë së pabesueshme të Divo Stagit, 99 vjeçar. Divo ka ushtruar profesionin e kontabilistit dhe siç shkruajnë mediat italiane, është ende i mprehtë mendërisht e ka mundur të kalojë testet për rinovimin e patentës së shoferit.

Stagi jeton në Lucca të Toskanës. Rinovimi i patentës për të moshuarin u publikua edhe nga klubi kombëtar italian i makinave (ACI), atje ku 99 vjeçari është anëtar prej dekadash. E veç jetëgjatësisë, Divo Stagi rezulton të mos ketë pësuar/shkaktuar asnjë aksident automobilistik.

Drejtuesi i klubit të makinave në qytetin e 99 vjeçarit, Luca Sangiorgio, tregoi gjithashtu se Divo Stagi është një njeri për t’u vlerësuar edhe për faktin se në rini, refuzoi fashistët e nazistët e u internua në moshën 20 vjeçare prej tyre.

99 vjeçari vetë, tregoi se ka planifikuar me të shoqen një udhëtim drejt Firence-s, i cili është afro 50 kilometër larg qytetit të tyre.