Ish-njerku i dogji banesën në Vlorë, 14 vjeçari tregon si mundi t’i shpëtojë flakëve duke mbajtur në krahë gjyshen

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të shtunë në Llakatund të Vlorës, atje ku një person dyshohet t’i ketë vënë qëllimisht zjarrin një banese. Si pasojë e shpërhapjes së flakëve edhe një tjetër banesë është shkrumbuar nga zjarri.

Dy persona mbetën të lënduar nga zjarri, një djalë në moshën 14 vjeçare dhe gjyshja e tij. I riu tregoi për median se zjarrvënësi ka qenë ish njerku i tij. 14 vjeçari ka marrë djegie në këmbë dhe nga dhoma e spitalit ku ndodhet i shtruar, shpjegoi se ish bashkëjetuesi i nënës e ka dhunuar fillimisht e mandej i ka vënë flakën shtëpisë.

“Bashkëjetonte me mamin më përpara. U ndanë dhe nga inati erdhi në shtëpi na dhunoi dhe na vuri flakën. Kanë jetuar në Kosovë. Kanë një djalë të vogël. Mami ka dy muaj që është ndarë. Na kërcënoi. Mbrëmë na dhunoi me duar dhe grushte. Pastaj mua më kanë qëlluar në kokë dhe kurriz dhe më ka rënë të fikët.

Kur u zgjova e gjeta veten në shtrat i shtrirë dhe i kishte vënë flakën shtëpisë. E mora nënën e sëmurë në krah dhe ika tek dajat. Dola nga dritarja. Shtëpia u dogj plotësisht. Më janë djegur këmbët ndërsa nënën kanë tentuar ta mbysin në shtrat. Po mundoheshin ta vrisnin dhe qëllonin me grushta. Ai tjetri më mbante dhe nuk kisha se çfarë të bëja.“, tregon ai.