“Falenderoj të madhin Zot dhe shqiptarët” Lot gëzimi për Dilarën, rikthehet e shëruar në krahët e prindërve

Më në fund pas sprovës, erdhi lehtësimi. Dilara 4 vjeçe, shqiptarja jonë e Kumanovës, është rikthyer në shtëpinë e saj e kuruar nga kanceri. Vogëlushja u diagnositfikua disa muaj më parë. Nëna e babai i Dilarës nuk i kishin mundësitë financiare për ta kuruar vogëlushen, por shqiptarët brenda 24 orëve u bënë bashkë për këtë vajzë.

Dilara u nis për trajtim në Turqi, e pas javëve të vështira e plot tension, vogëlushja u rikthye tanimë në gjendje të mirë shëndetësore dhe pa asnjë qelizë kancerogjene në trup.

Pas ardhjes nga Turqia, nëna e babai i 4 vjeçares, rrëfyen për “Shqiptarët për Shqiptarët” sprovat e vuajtjet e shumta që përballuan…

 “Për ne ka qenë një betejë shumë e vështirë për neve. Dilara ka qenë shumë e sëmurë. Dy kile e ka patur tumorin. Dikur vajza vetëm qante, ankohej e rrinte në gjumë. Unë vetë, kam qenë vetëm duke qarë. Kur ajo qante, dhe unë qaja, kur i dhimbte trupi… sikur hyja në dhe. Mendoja se nuk i kishte më shanset, se tumori do ia merrte jetën… por deshti Zoti, fondacioni i Elvis Naçit mori përsipër rastin, të mos ishte për ta… çika ime do të vdiste. Im shoq u nis fillimisht, e atë ditë nuk munda ta përballoj dot… mendoja se ime bijë nuk do të vinte më prej atje, ishte vdekje për mua ajo ditë.”-tha nëna e Dilarës.

“Pata mbetur pa shpresë… sillesha majtas e djathtas, se nuk dija se çfarë të bëja. Veç kur mora lajmin, që ma dha ime shoqe, se rastin po e merrte zoti Elvis Naçi. Shumë jam gëzuar. Unë u nisa i vetëm në Turqi më vajzën, keq ndihesha… ditët ishin të gjata e as nuk folja me njeri. Mendoja me veten ndonjëherë, mos do të kthehesha i vetëm.”-tregoi babai i Dilarës.

“Por me kalimin e kohës Dilara u bë mirë, kërkonte nënën dhe motrat. Ne jemi mësuar përherë të qëndrojmë bashkë. Kur erdhi ime shoqe, edhe vajza u gëzua shumë. Vështirë ka qenë… spitali e mjekët atje kanë dhënë kujdesin e punën e tyre në maksimum… Është një gëzim i madh kur i ke fëmijët të gjithë së bashku, kur na është hequr barra e madhe që kishim me sëmundjen e çikës. Kur i shoh ndonjëherë, më duket si ëndërr… zemra më mbushet me kënaqësi kur shoh vajzat të rrinë bashkë, të qeshin së bashku.

Të madhin Zot e falenderoj, se desh i madhi Zot që u bë kjo mrekulli. Falenderoj të gjithë kontribuesit, Elvis Naçin, Sidtit Bejlerin e të gjithë ata dashamirës që na ndihmuan.”-përfundon babai i Dilarës.

“Sa erdhëm nga Stambolli. Erdhëm me shpresë e gëzim të madh, sepse Dilara është shumë mirë. Jam nëna më e lumtur në botë, ma kanë kthyer përsëri në jetë Dilarën, më duket vetja si në ëndërr.

Kur na thanë se Dilara është pastruar, se ime bijë nuk ka më qeliza kancerogjene, mu duk sikur krejt dynjaja ishte e imja.. mu duk sikur ime bijë lindi për së dyti… sot falë Zotit, vajza është shumë mirë. E falenderoj Zotin, sepse vajza ka rinisur përsëri jetën e saj. Falenderoj krejt shqiptarët, se po të mos ishin ata, Dilara nuk do të ishte. Dilarës i është kthyer jeta, buzëqeshja… edhe neve po ashtu.”-tha nëna e Dilarës.